SHPËRNDAJE

Startup Weekend TIRANASipërmarrja në Shqipëri ka pësuar rritje të dukshme gjatë viteve të fundit, megjithatë ka ende mjaft potencial të pazbuluar. Me qëllim që t’i krijohet një mundësi gjithë këtij potenciali në Shqipëri, qeveria është përpjekur me çdo mënyrë për të promovuar sipërmarrjen tek të rinjtë shqiptarë. Studimet e fundit të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës kanë arritur në përfundimin se ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të të gjithë sektorëve të ekonomisë, u mungon shpeshherë botëkuptimi teknik, aftësitë e brendshme dhe suporti i rrjetit ku veprojnë në mënyrë që të adaptohen më mirë, të menaxhohen dhe të krijojnë zgjidhje apo inovacione në vendin ku operojnë. Të gjithë këta faktorë janë themelorë në rritjen e shitjeve dhe konkurrencën jo vetëm rajonale por edhe atë globale.

Qëllimi i Qendrës Burimore të ICT-së Protik është pikërisht promovimi i inovacionit dhe sipërmarrjeve, ofrimi i mjeteve të duhura teknologjike për sipërmarrësit e ICT-së si dhe shërbimi si një rrjet ndërlidhës mes të gjithë entiteteve të këtij sektori. Për të plotësuar të gjithë elementët e mëposhtëm, Protik do të mbajë dhe do të mbështesë eventin Startup Weekend në Tiranë. Ai do të shërbejë si një guidë për ekosistemin “startup” në Shqipëri si dhe do të sjellë frymën e sipërmarrjes përmes shpërndarjes së informacionit dhe mbajtjes së eventeve edukative.

Startup Weekend

Startup Weekend Tirana është pjesë e rrjetit global “Startup Weekend” që përbëhet nga liderë pasionantë dhe sipërmarrës të cilët kanë një qëllim të përbashkët: të frymëzojnë, të edukojnë dhe të promovojnë individët për të shfaqur idetë e tyre, për të formuar skuadra pune dhe për të lansuar kompani të reja “startua”. Startup Weekend Tirana do të organizohet mes datave 7 – 9 qershor 2013 në Qendrën Burimore Protik. Eventi do të bashkojë sipërmarrës, programues, zhvillues, marketerë, dizenjatorë dhe entuziastë biznesi në një organizim që do të zgjasë 54 orë. Eventi do të synojë t’i çojë idetë inovative të biznesit nga faza e konceptimit drejt lançimit.

Startup Weekend Tirana synon të krijojë dhe të forcojë komunitetin e sipërmarrësve si dhe krijimin e një platforme për komunikim. Sipërmarrësit, qoftë ata që kanë një biznes të tyre, qoftë ata të cilët synojnë të kenë një kompani në të ardhmen, do të gjejnë vendin e duhur për të testuar idetë e tyre, për të bashkëbiseduar me persona të tjerë si ata si dhe për të gjetur partnerë potencialë që plotësojnë aftësitë e projekteve të tyre.

Mesatarisht, rreth gjysma e pjesëmarrësve në Startup Weekend kanë formim teknik, ndërsa pjesa tjetër ka njohuri rreth biznesit. Eventi do të përpiqet që të bashkojë jo vetëm sipërmarrësit e teknologjisë, por njëkohësisht edhe individë nga sektorë të ndryshëm si arsimi, biznesi dhe financa, mes të tjerave.

Pjesëmarrësit kanë perspektiva, përvoja dhe aftësi të ndryshme, megjithatë janë gjithmonë të gatshëm për të mësuar një aftësi të re, një gjuhë të re programuese apo thjesht një mënyrë të re të menduari. Për më tepër, në event do të flasin edhe sipërmarrës të cilët do të ndajnë me publikun sfidat dhe sukseset e punës së tyre. Pjesëmarrësit mund të takohen me inovatorë, vizionarë dhe krijues për të punuar mbi diçka të veçantë, njëkohësisht duke marrë edhe këshilla nga sipërmarrësit e suksesshëm gjatë kësaj kohë.

Pjesëmarrësit do të kenë gjithashtu mundësi të kontaktojnë me mentorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Në edicionet e kaluara të Startup Weekend janë zhvilluar seanca “brainstorming”, biseda të pasura me ide si dhe kontakte afatgjata. Në të gjithë eventet Startup Weekend në botë kanë marrë pjesë mbi 45 000 individë, të gjithë me një mision të përbashkët: për të ndryshuar botën.

Çfarë ndodh gjatë fundjavës?

Startup Weekend zhvillohet gjatë një fundjave. Ajo fillon të premten pasdite, më 7 qershor, me fazën e parë, atë të konceptimit të ideve dhe ndërtimit të skuadrave. Pjesëmarrësit nxiten të sjellin idetë e tyre më të mira si dhe të frymëzojnë të tjerët për t’u bashkuar me skuadrat e tyre. Në fund të ditës mbaron formimi i skuadrave. Më pas, grupet e punës fillojnë të diskutojnë gjerësisht mbi aftësitë e tyre dhe ato që nevojiten për projektin duke punuar sipas teknikave të “mind mapping”, strategjive të ndryshme apo edhe krijimit të një biznesi real në letër. Gjatë kësaj faze, grupet e punës do të ndihmohen dhe do të këshillohen nga mentorë të suksesshëm shqiptarë dhe të huaj. Ditën e diel, skuadrat paraqesin demot apo prototipet e tyre, të cilat shoqërohen me vlerësimin e një paneli të përbërë nga ekspertë të njohur.

Skuadra organizatore dhe sponsorët

Skuadra organizatore e Startup Weekend Tirana përbehet nga Qendra Burimore e ICT-së Protik, Startup Weekend Norway dhe AITA, të cilat janë partnere të eventit. Skuadra organizatore punon prej tashmë disa kohësh për të siguruar zhvillimin e një eventi që jo vetëm frymëzon, por njëkohësisht edhe bashkon burimet e nevojshme për të pasur sukses. Qendra Burimore e ICT-së Protik do të vendosë në dispozicion edhe infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur të pranishmit.

Mbështetësi më i madh i Startup Weekend Tirana është Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme, e cila është edhe sponsor premier. Startup Weekend Tirana mbështetet edhe nga kompani të mirënjohura shqiptare në fushën e ICT-së, si ICTS Media, Raiffeisen Bank, Microsoft-Albania, BTC-Albania , Kaspersky Lab dhe Facilization Sh.p.k të cilat, përveç mbështetjes, do të ofrojnë edhe çmime për fituesit si dhe do të jenë pjesë e mentorëve. PC World Albanian do të jetë partneri mediatik i eventit.

Duke marrë parasysh mbështetjen e sponsorëve të eventit, çmimet që ata kanë ofruar dhe suportin nga dhjetëra personalitete të fushës së ICT-së, Startup Weekend Tirana po shndërrohet në një event që mezipritet në Shqipëri.

Në eventin që do të mbahet në Qendrën Burimore të ICT-së Protik në Tiranë mes datave 7 – 9 qershor 2013, priten mbi 100 pjesëmarrës. Regjistrimet janë tashmë të hapura. |PCWorld Albanian| |ameble|

SHPËRNDAJE