SHPËRNDAJE

Samsung Galaxy S4 Mini Duos e para

Pak ditë më parë kemi publikuar artikullin me vlerësimin për smartphone-in Samsung Galaxy S4 ndërsa sot vazhdojmë me pasardhësin e tij Samsung Galaxy S4 Mini modeli I9192.

Samsung Galaxy S4 Mini vjen në dy versione Samsung Galaxy S4 Mini I9192 që përkrah dy GSM SIM kartela dhe versioni tjetër të cilin e gjejmë me emrin Samsung Galaxy S4 Mini I9190 i cili përkrah vetëm një GSM SIM kartelë. Pajisja të cilën ne e kemi testuar është Samsung I9192 Galaxy S4 Mini që përkrah dy GSM SIM kartela. Meqenëse asgjë tjetër në specifikat harduerike të këtyre smartphoneve nuk dallon, në këtë artikull të kësaj pajisje ne do ti referohemi vetëm si Samsung Galaxy S4 Mini.

Sa shumë prej nesh kemi dëshirë qe të mos mbajmë më shume se një telefon me vete dhe si të tillë duam që ky smartphone të jetë “brand name” dhe kualitativ?

Kompania Samsung ka mundësuar këtë gjë për ne. Samsung  Galaxy S4 Mini DUOS është bërë me qëllim që të ju mundësoj njerëzve që të integrojnë dy operatorë në një smartphone të vetëm me një çmim modest dhe madhësi më të vogël.

Përparësitë:

  • Dual SIM
  • RAM 1.5 GB
  • Ekrani 4.3 inç Super Amoled, i mbrojtur me Corning Gorilla Glass
  • Kamera 8 Megapikselë
  • Kapaciteti i baterisë 1900 mAh
  • Mundësia e mbushjes së baterisë me WiFi
  • Procesori  Dual-Core 1.7 Ghz
  • Ka FM-Radio

Mangesitë:

  • Nuk ka AirGesture Sensor
  • Nuk ka Multi-View
  • Çmimi i lartë

Paketimi i Samsung Galaxy S4 Mini njëjtë sikur modeli 5 inç i S4 janë të përbëra nga materiali i letrës, i kombinuar me material nga bima e sojës, gjë që e bënë që i tërë paketimi i këtij smartphone-i të jetë i riciklueshëm deri në masën 100% dhe si i tillë aspak i rrezikshëm për shëndetin.

Brenda këtij paketimi gjenden: smartphone-i Samsung Galaxy S4 Mini, bateria , mbushësi i baterisë, kabllo për lidhjen e pajisjes me portën USB të kompjuterit, kufjet (ndëgjojset) si dhe udhëzuesi i përdorimit të smartphone-it.

Hardueri dhe Dizajni

Samsung Galaxy S4 Mini është thjeshtë një Galaxy S4 i përmasave më të vogla, si në specifikat teknike po ashtu edhe në madhësinë e këtij të fundit. Dizajni i kësaj pajisje është i karakterit të ngjashëm me atë që e kemi parë në S3 Mini.

Nën pjesën e ekranit, kemi tre butona kapacitiv: Menynë, butonin Back (për kthim) dhe butonin Home.

Mbi pjesën e ekranit kemi vrimat e kufjeve, afër tij kemi senzorin e dritës dhe ndjeshmërisë së afërsisë. Ajo çfarë S4 Mini nuk e ka është senzori “Air gesture” dhe “Air View” gjë të cilën Galaxy S4 e ka. Kur jemi në pjesën e përparme duhet të cekim faktin se kamera e përparme është e madhësisë 1.9 megapikselë që mundëson fotografi dhe video thirrje.

Pjesa anësore në anën e majtë të S4 Mini është pjesa në të cilën kontrolluesi i zërit është i lokalizuar.

Në pjesën anësore të anës së djathtë kemi vetëm butonin e fikjes/ndezjes.

Para publikimit të S4 dhe S4 Mini është përfolur se pikërisht në këtë pjesë do të vendoset edhe një buton shtesë për nxjerrjen e fotografive, por këtë gjë nuk e kemi parë të vendoset në asnjërin nga këta të dy.

Pjesa e sipërme e Galaxy S4 Mini ka një vrime (jack) të zërit, mikrofonin dytësor dhe IR transmetuesin që mundëson që të përdorim smartphone-in tonë sikur një telekomandë për kontrollimin e pajisjeve tona shtëpiake.

Ndërsa në pjesën e poshtme kemi mikroUSB portin i cili mundëson transferimin e të dhënave dhe mbushjen e telefonit, në këtë pjesë kemi edhe vrimën e mikrofonit kryesor. Kjo USB e mbështet protokollin MHL.

Në pjesën e pasme të Samsung Galaxy S4 Mini kemi një kamere 8 megapikselë, e përshtatshme për të regjistruar video imazhe të kualitetit 1080p, nën kamerë është i vendosur LED flash për ndriçim.

Ndërsa në anën e majtë të pjesës fundore gjendet altoparlanti i zërit.

Ekrani dhe Zëri

Samsung Galaxy S4 Mini ka një ekran të madhësisë 4.3 inç të llojit Super AMOLED gHD me rezolucion (960 x 540 pikselë). Densiteti i pikselëve të S4 Mini është 256ppi që është mjaft i mirë dhe ajo që e bënë edhe me të mirë është paneli i ndriçimit LED RGB Matrix.

Duke e konsideruar këtë pajisje si të rangut mesatar, mund të themi se ekrani i S4 Mini është mjaft i fortë, dhe mjaft i përshtatshëm për sytë.

Në anën tjetër, prodhimi i zërit nga ky smartphone është i mjaftueshëm duke marrë parasysh destinimin e tij. Në rast të thirrjeve telefonike, dëgjohet lehtë dhe ka opsionin ekstra Volume që e rrit degjueshmërinë e mikrofonit.

Kamera

Sikurse edhe modeli  i madh i Galaxy S4, pajisja Galaxy S4 Mini ka dy kamera. Kamera e përparme është 1.9 megapikselë dhe mund të përdoret për video thirrje me Skype apo Google Talk, ndërsa kamera e pasme është 8 megapikselë. Galaxy S4 Mini nëpërmjet softuerit të integruar ofron opsione të ndryshme të efekteve të fotografisë gjatë fotografimit të cilat mund të përzgjidhen drejt për së drejti. Duhet të cekim se kamera e këtij modeli mund të bën incizimin e videove në formatin FULL HD.

Softueri

Njëjtë sikur Galaxy S4 edhe Galaxy S4 Mini vjen me sistemin operativ të fundit Android 4.2.2 Jelly Bean me një përformancë jashtëzakonisht të mirë dhe shumë të shpejtë.

Sistemi Operativ i Samsung Galaxy S4 Mini ka të integrauar aplikacionin Watch On i cili nëpërmjet IR transmetuesit mundëson kontrollimin e TV-së, DVD Player-it, Blu-ray Player-it, Projektorit, Sistemit Surround, Klimës dhe pajisjeve të tjera “Smart”.

Aplikacioni Group Play, po ashtu ofron një mundësi nëpërmjet të cilit ju mund t’i shpërndani muzikën, fotografitë ose të luani lojëra me miqtë tuaj afër jush. Aplikacioni S voice është integruar në Galaxy S4 Mini dhe është shumë funksional, ku me aktivizimin e tij aplikacioni kryen urdhërat e juaja pa pasur nevojë fare që ju të operoni me pajisjen, pra mund të bëni thirrje, të vendoseni alarme, të bëni përditësimin në faqet e rrjeteve sociale, navigoni etj (që është e shpjeguar në videon më poshtë).

Instalimi i SIM kartelave

Vendosja e SIM kartelave është shumë e thjeshtë. Me tërheqjen e kapakut dhe baterisë së smartphone-it, do të shfaqen 3 porte, ku dy porte janë të dedikuara për SIM kartela me disa instruksione se si duhet të vendosen kartelat, si dhe porta tjetër e dedikuar për SD kartel me anë të cilës mund të rritet hapësira për ruajtjen e shënimeve.  Për të vërtetuar se SIM kartelat janë të vendosura mirë, tek notifikimit do të paraqiten dy SIM kartela të operatoreve përkatës (shih fotot më poshtë). Po ashtu duhet të cekim se qasja apo përzgjedhja e operatorit të cilin dëshirojmë të shfrytëzojmë gjatë thirrjeve, është shumë e lehtë duke bërë përzgjedhjen e operatorit vetëm me një prekje.

Hapësira 

Hapësira e integruar e Samsung Galaxy S4 Mini është e madhësisë 8 GB, nga e cila 3 GB automatikisht është e rezervuar për sistemin operativ ndërsa 5 GB mbeten pjesa e lirë për instalimin e aplikacioneve dhe ruajtjen e të dhënave të tjera. S4 Mini posedon portën SD nëpërmes së cilës hapësira (storage) mund të zgjerohet deri në 64 GB.  Sa i përket hapësirës, lirshëm mund të vlerësojmë se kjo është një hapësirë e mjaftueshme duke konsideruar mbështetjen e SD-Kartelës.

Përformanca dhe Bateria

Ashtu siç edhe kemi pritur, smartphone-i Samsung Galaxy S4 Mini ka një funksionalitet tepër të mirë. Shfletimi (browsing) në Internet është tejetë i shkëlqyeshëm, duke llogaritur që ekrani i S4 Mini është për 0.7 inç më i vogël se S4, ai prap se prap duket të jetë i mjaftueshëm për lundrimet e zakonshme në Internet. Thjeshtë përformanca e shfletuesit të internetit (web browser) është shumë e kënaqshme dhe këtu nuk kemi ndonjë vërejtje.

Gjithashtu hapja dhe funksionaliteti i aplikacioneve është shumë i mirë dhe i shpejtë kjo për shkak të procesorit dy-bërthamor 1.7 GHz, Andreno 305 Qualcomm Snapdragon 400.

Për më shumë mund të shikoni videon praktike të Galaxy S4 Mini e realizuar nga ne.

Sa i përket aplikacioneve, pothuajse të gjithë aplikacionet që i kemi testuar në instalim dhe funksionalitet janë pa problem të përballueshme për S4 Mini. Nëse e krahasojmë S4 Mini me cilin do smartphone tjetër dual-SIM, patjetër që S4 tejkalon përformancen e të gjithë të tjerëve kur është fjala tek shpejtësia, funksionimi dhe përformaca në përgjithësi.

Bateria e S4Mini është e fuqisë 1900mAh. Vrimat e kartelës microSD dhe microSIM ndodhen nën bateri, pra nëse dëshirojmë që të heqim këto kartela atëherë patjetër duhet së pari ta fikim telefonin, ta heqim baterinë.

Gjatë mbushjes së smartphone-it rekomandohet mbushësi origjinal që vjen në paketimin e Galaxy S4. Në rast se dëmtohet ose nuk është më funksional duhet të blihet adapteri 2.0 A (ampera).

Përfundim

Shtrohet pyetja: A me ble Galaxy S4 Mini DUOS?

Samsung Galaxy S4 Mini, specifikisht version I9192 (DUOS) i cili përkrah dy operator GSM, është një zgjidhje ideale për të gjithë e sidomos përsonat që duan të kenë dy operator ose dy numra të ndryshëm të të njëjtit operator në një telefon të vetëm siç hasim tek ne. Ekrani dhe madhësia më e vogël se i S4, është edhe një përparësi tjetër për ata që duan një smartphone më të vogël.

Gjatë testimeve që i kemi bërë S4 Mini-t, konstatuam se ky i fundit ofron një përformancë të shkëlqyeshme në mënyrën se si funksionon dhe dizajnin që ka.

Duke u bazuar në faktin se ky smartphone është pasardhës i S4 dhe çmimi i tij dallon për 50 – 70 euro, do të ishte gjë e mirë nëse në të ashtu siç është në S4 të ishte i integruar moduli AirGesture, AirView dhe hapësira e integruar të ishte së paku 16 GB.

Për të gjithë ata të interesuar për blerjen e modelit Galaxy S4, rekomandojmë shitoren e pajisjeve mobile F–Mobile me dyqan në Prishtinë, i cili ofron kushte shumë të volitshme për blerje si dhe garancion prej 2 vitesh për pajisjen. |ameble|

VLERËSIM
Hardueri
7
Performanca
6
Kamera
6
Dizajni
7
Ekrani dhe Zëri
7
SHPËRNDAJE
  • reklama

    Me kan me i hjek kete reklama Urban Taxi qe po te percjellin me faqe duke shfletuar ishit ba ma te miret, qiti vlla atje lart dikun ne baner,