SHPËRNDAJE

Këtë javë ramë në kontakt me Mërgim Cahanin që të flasim në lidhje me lansimin beta të Gjirafa.com, makinës kërkimore në Gjuhën Shqipe si dhe grumbulluesin e lajmeve, që në Shqipëri dhe Kosovë është duke bërë emër. Cahani së bashku me disa pjesëtarë kryesorë të ekipit ishin pjesë e rundit paraprak në akceleratorin tonë, dhe kishin arritur të siguronin një investim të konsiderueshëm nga investitorët “angel” për biznesin e tyre i cili është hapur për publikun në Tetor të këtij viti me versionin beta.

Foto 1

Mergim! Shumë gjëra kanë ndodhur për 5 muaj, që kur jeni larguar nga StartupYard. Cilat janë risit e fundit?

E vërtete, kemi qenë shumë të zënë. Pas largimit nga StartupYard, e kemi lansuar versionin beta vetëm me ftesa. Kjo me të vërtetë na ka ndihmuar që të përmirësojmë motorin kërkimorë të Gjirafës, si dhe të merremi me përvojën e përdorimit të ndërfaqes dhe cilësisë së kërkimit. Deri më tani kemi arritur të indeksojmë më shume se 20 milion ueb faqe në Gjuhën Shqipe. Stafi ynë është rritë në 18, që është shumë mirë sepse kemi tërë talentin që na nevojitet, dhe shumë më herët se sa kam pritur të kompletojmë ekipin. Kjo me të vërtetë është emocionuese. Ne jemi duke e shfrytëzuar potencialin tonë gjithmonë e më shumë. Ne jemi një grup i fuqishëm, dhe kjo është thelbësore në këtë përpjekje.

Më në fund, me 9 Tetor, e lansuam versionin beta për tërë popullin Shqiptar. Sapo e kishim njëmujorin e parë. Ne me të vërtetë jemi të kënaqur. Produkti është gjithëpërfshirës, dhe ne jemi duke parë numra me shumë potencial. Mezi pres të ju tregoj më shumë.

foto 2

Me cilat shërbime jeni lansuar?

Kërkimi në Gjuhën Shqipe dhe Angleze është produkti kryesor, pastaj vjen grumbulluesi i lajmeve, dhe orari i autobusëve. Ne i grumbullojmë mbi 3500 artikuj shqip të lajmeve në ditë, dhe kemi një statistikë të shkëlqyeshme, megjithatë është herët t’i shpalosim ato. Linjat e autobusëve është produkti kryesor, ku i kemi shtuar më shumë se 8,000 linja te rajonit, përfshirë qytetet e mëdha deri te vendbanimet e vogla, duke e bërë platformën e Gjirafës të vetmin vend ku këto informata mund të gjenden online. Kjo me të vërtetë ka ngjall reagim të mirë te qytetarët, e cila është pikërisht ajo çka ne kemi synuar: të ju mundësojmë Shqiptarëve një përvojë të pasur në Internet, të cilën të tjerët në Evropë e marrin si të mirëqenë.

Përtej kësaj, ne kemi sjellë edhe disa shërbime të cilat nuk i kemi pritë të vijnë kaq shpejt, kjo shkaku i dëgjimit të zërit të përdoruesve që në versionin beta ishte i fuqishëm. Kjo përfshinë motin për 320 vende, dhe data bazën e kërkueshme të veturave të përdorura dhe pronave të paluajtshme të cilat me të vërtetë janë të popullarizuara.

Si po pranohen shërbimet nga përdoruesit?

Çfarë kemi gjetur është se ekziston një kërkesë e lartë për kërkime vertikale. Ne sapo kemi lansuar shërbimin e kërkimit të veturave këtë të Hëne, dhe po shohim një trafik marramendës. Kërkimet për vetura në shitje mund të shfletohen këtu: http://gjirafa.com/Top/IndexM, ndërsa patundshmëritë këtu: http://gjirafa.com/Top/IndexB

press4

Grumbulluesi i lajmeve po ashtu është duke pas sukses, veçanërisht tri lajmet kryesore të cilat zgjedhën në mënyrë kompjuterike, dhe që vazhdimisht po janë edhe përcaktues të lajmeve më të rëndësishme të ditës në uebin Shqip. Këto lajme mund të shfletohen këtu: http://gjirafa.com/Lajmet/Tefundit

Ne sapo kemi filluar të zhvillojmë emrin Gjirafa. Ne dëshirojmë të njihemi si produkt i ndërtuar nga dhe për Shqiptarët. Për këtë ne po shohim tërë komunitetin e përdoruesve si pjesë e kësaj përpjekjeje, dhe ne do të vazhdojmë të dëgjojmë zërin e tyre për së afërmi që të kuptojmë nevojat dhe kërkesat që ata kanë ndaj nesh. Njerëzit me të vërtetë po flasin, dhe po na bëjnë me dije që janë duke e përkrahur këtë përpjekje, dhe dëshirojnë që ne të kemi sukses. Ka qenë shkëlqyeshëm.

Pra reagimi në komunitetin e shqip folësve ka qenë i mire? Çka i pëlqen atyre? Çka kërkojnë?

Gjëja e pare që atyre ju pëlqen është sepse është në Gjuhën Shqipe, dhe kompani Shqiptare. Ata me të vërtetë ndjehen krenarë për këtë fakt, dhe mendojnë që është dashur të vijë edhe më herët. Ata e ndiejnë Gjirafën si të tyren dhe e identifikojnë veten me të – dhe kjo është pikërisht ajo qe ne duam dhe mendojmë që është e saktë.

press1

Ne kemi krijuar për Shqiptarët, dhe reagimi ka qenë me të vërtetë i fuqishëm. Do të ju sjell një shembull shumë interesant: Një nga përdoruesit tanë na kontaktoi një ditë dhe shkroi “Jam duke e shikuar orarin e autobusëve, dhe po e shoh orarin nga qyteti A në qytetin B, por duhet të jetë një gabim, sepse po mungojnë edhe dy ndalesa përgjatë rrugës”. Ne kontrolluam dhe ai kishte të drejtë, kështu që ne i shkruam atij që ta informojmë se e kemi përmirësuar. Ai vazhdon dhe poston, komunikimin tonë me email, në Instagram dhe me krenari deklarohet se ai e ka rregulluar problemin, dhe ka mundësuar që ajo informatë të jetë në dispozicionin e të gjithëve. Ai në një mënyrë e vendosi veten në ekipin tonë, që në të vërtetë, unë mendoj, është pjesë e punës tonë.

Madje ndonjëherë edhe në telefon më thërrasin për të më pyetur si punon kjo apo ajo, apo në përgjithësi si përdoret platforma! Njerëzit krijojnë edhe postojnë video ne YouTube se si të përdoret Gjirafa. Edhe pse ne nuk i kërkojmë atyre ata thjeshte vetë e bëjnë këtë. Pothuajse në baza ditore pranojmë rezyme, ku vërejmë se njerëzit dëshirojnë të na ndihmojnë shpesh edhe vullnetarisht, pa pagesë. Komentet e tyre inkurajojnë njerëzit që ta përdorin produktin në mënyrë patriotike. Njerëzit thonë:” Duheni ta përdorni këtë, dhe të ndihmoni në mënyrë që kjo të ia arrijë, sepse është e jona.” Kjo është inkurajuese për ne. Është mahnitëse dhe ne i falënderojmë.

Dhe nuk janë vetëm njerëzit. Kompanitë tjera nga rajoni na janë ofruar, dhe na e kanë bërë me dije se janë në anën e ekipit tonë gjithashtu, dhe lobojnë për në. Kjo është shumë mirë.

Çfarë ndikim ka pas në Shqipëri dhe Kosovë në raport me pritjet e juaja? A keni menduar se do të arrini këto para një viti?

Në disa po, ndërsa në disa aspak fare. Ne kemi pritur të kemi trafik të mirë, por muajin e parë pas lansimit për tërë punlikun, ne jemi duke realizuar dyfishin e asaj çka kemi synuar sa i përket trafikut të përgjithshëm.

Dhe ne asnjëherë nuk kemi menduar se do të kemi aq interes të madh në kërkimet e specializuara “vertikale” sikurse veturat.

Po ashtu nuk kam pritur të kemi një ekip aq të kompletuar. Kam menduar se do të na mungojnë disa pjesëtarë kyç, apo të mos kemi kushte të marrim në punë njerëzit e duhur. Ndërsa tani çdo gjë është e mbuluar sa i përket stafit.

Njerëzit me të vërtetë përfshihen më shumë sesa që kemi pritur. Nga hulumtimi ynë 30% e vizitave do duhej të ishin vizitorë me pajisje mobile. Tani janë mbi 50% përdorues mobilë. Kjo na e ka ndërruar fokusin dhe drejtimin. Prioriteti i shërbimeve të reja është ndikuar goxha shumë nga kjo. Gjithnjë e më shumë po bëhet treg i përdoruesve mobilë, dhe ne duhet të përqendrohemi në të. 3G sapo është futur në rajon – e di që është vonuar! – kështu që shërbimet tona janë më se relevante. 4G pritet të vijë së shpejti, dhe ne do duhet të jemi gati për atë.

Deri ku ka arritur zhvillimi i sajtit deri në këtë moment? Në çka duhet të përmirësoheni, çka është duke funksionuar mirë?

Zhvillimi ka arritur të mundësojë të gjithat shërbimet e lansuara. Tërësisht i përshtatshëm për pajisje mobile. Ajo çka duhet të përmirësojmë është algoritmi i rankimit të rezultateve të kërkimit të përgjithshëm të ueb faqeve. Ne i kemi marrë në konsideratë afro 20 faktorë për rankim. Për shembull Ercani, CTO dhe bashkëthemelues, është duke punuar në Shkencën e të Dhënave të Uebit Shqip, dhe kjo do të ketë një ndikim të madh në përmirësimin e rezultateve të kërkimit. Ky rankim i ri i kërkimit do të jetë në dispozicion ka fundi i muajit.

press3

Kërkimi i përgjithshëm zakonisht ofron rezultate fantastike, shpesh herë më mire sesa Google në Gjuhën Shqipe, por ndonjëherë dështon të ofrojë rezultate të mira, kështu që kemi mësuar shumë përgjatë rrugës. Ne i kemi identifikuar ato probleme. Google, me gjasë përdorë mbi 200 faktorë për të rankuar rezultatet e kërkimit, ndërsa Seznam përdorë afro 100. Ne përdorim “vetëm” 20 faktorë për momentin, por mos harroni se Google duhet më shumë të brengoset që të ofrojë kërkim të personalizuar. Ata duhet të merren me historinë e përdoruesve, vendndodhjen, gjuhën, dhe një bazë shumë herë më të madhe. Deri më tani ne jemi duke u fokusuar vetëm në ueb faqe, dhe në përmbajtjen e tyre. Është një ueb më i vogël, kështu që ne jemi duke u zhvilluar paralelisht me të. Kjo na ndihmon që ta tejkalojmë Google-in në shpejtësi, me reagim mesatarë prej 250 mili sekondash. Ne jemi shumë të lumtur me ketë fakt, dhe kjo është duke u përmirësuar me rritjen e numrit të përdoruesve aktivë, dhe sa më shumë që përdoret indeksi ynë aq më i mirë bëhet.

Si ka ndikuar StartupYard në formësimin e trajektores suaj përgjatë vitit të kaluar?

Çdo gjë që ka ndodhur e shoh si përbërës të receptit që e kanë zhvilluar Gjirafën kaq larg (edhe pse ka ende për të ecur). Ata janë: tregu (përdoruesit tanë – populli Shqiptar), ekipi dhe teknologjia, dhe mbështetja që kemi marrë; ndihma në nisje dhe udhëheqje nga investitorët engjuj dhe përkrahësit e tjerë. StartupYard në anën tjetër, ka qenë përbërësi “sekret” që ka ndikuar që ky recept të ketë sukses dhe të na shtyjë përpara. Eshtë si një lidhje hidrogjenore, që mban molekulat e ujit të lidhura. Investitorët dhe klientët janë atomet, ndërsa lidhjet ndërmjet tyre i bëjnë që elemente kimike dhe përbërësit i bëjnë ato të jenë *diçka*. Unë sinqerisht besoj se do të ishte shumë vështirë, ndoshta e pamundur, ta sillnim Gjirafën aty ku është sot, pa ndihmën e StartupYard. Pa ekipin menaxherial të StartupYard, mentorëve, dhe përvojës që na e kanë dhënë, nuk di se si do te arrinim këtu.

Vetëm nje shembull që e kemi marrë nga kjo: Ideja e linjave të autobusëve ka lindë në Pragë, në StartupYard. Ka qenë një mendim si: “në rregull… është një vend përplot me klientë… Si mund t’i arrini ata ?” Këtë na e ka dhënë StartupYard. Na ka bërë që të besojmë se atë që jemi duke e bëre është e mundur, si dhe na e kanë treguar rrugën përpara.

Gjithashtu, StartupYard na ka siguruar çasje në: investitorët engjuj, programin Microsoft BizSpark Plus, partneritet me Seznam.cz, dhe lista vazhdon e vazhdon. E thënë me një fjalë, pa StartupYard nuk do të ishim këtu ku jemi – ne me siguri do të ishim diku, por nuk do të ishim një ndër platformat me rritje më të shpejtë të uebit Shqip, dhe kjo është më se e sigurtë.

A ka pas Google ndonjë interesim në veprimtarinë e juaj deri më tani? Ndonjë telefonate “të rrezikshme” apo kuti misterioze?

:qeshje: Jo.. drejtpërsëdrejti, jo. Por është interesante, sepse Google na bën një lëvrim online goxha të thellë, dhe ata përdorin fjalë kyçe interesante kur na skanojnë. Ne i kemi mbi 6000 faqe të skanuara, dhe ata përdorin fjalë të rastësishme si “barbie”, dhe pastaj indeksojnë faqet, dhe pastaj vazhdojnë me termin tjetër – nuk dijmë saktësisht se çka janë duke bërë. Ndoshta janë duke u munduar të kuptojnë se sa të mëdhenj jemi ne – duke parë sa faqe i kemi në indeksin tonë. Me fjalë tjera, ata e dinë që ne jemi këtu, mund ta lëmë me aq.

Pasi keni përfunduar në StartupYard, ju keni arritur synimin tuaj të siguroni investim nga investitorët engjuj. A jeni ende duke kërkuar më shumë investim?

Gjëja më me rëndësi për neve tani është t’i arrijmë fuqishëm pikësynimet tona, dhe t’i tejkalojmë ato. Atë jemi duke e bërë tani, dhe sa më shumë të dhëna që mbledhim nga përdoruesit, aq në pozitë më të mirë do të jemi të kuptojmë vlerën tonë, si dhe potencialin tonë të ardhshëm. Të dhënat reale, nga baza e përdoruesve do të na japë një pamje të qartë mbi vlerën tonë, dhe mundësojë të tregojmë që kemi nisje të mirë.

Jam shumë mirënjohës ndaj investitorëve engjuj të cilët na ndihmuan këtë vit. Ata na kanë dhënë hapësirë dhe kohë që të punojmë si duhet në Gjirafë, dhe ne jemi duke u përqendruar ta bëjmë këtë një produkt të madh, me potencial të madh në treg. Sa më shumë hapësirë që kemi për të bërë këtë, aq në pozitë të mirë do te jemi kur të vijë koha që të kërkojmë investim të ri. Por pa ta, ne nuk do te ishim këtu duke diskutuar Gjirafa.com.

 Ju gjithashtu keni pas edhe një komunikim me Microsoft, apo jo? Për çka bëhet fjalë?

Po! Kjo ishte shumë interesant për ne. Ne kemi qenë në kontakt kryesisht me ekipin e Azure të Microsoft. Ne kemi shumë serverë me Microsoft, dhe kjo i ka intriguar ata. Ata dëshironin të dinin: “Çka po ndodh në Kosovë? Çka jeni duke bërë me serverët tanë ?”. Ata na kanë takuar, dhe ftuar të bëhemi Këshilltarë të Microsoft Azure, qe na mundëson neve qasje dhe përfitime si komunikim të drejtpërdrejt me ekipin e Microsoft Azure, dhe mundësinë që të japim sugjerime për çka do që na nevojiten neve të kemi në produktet e Azure. Nëse vërejmë që na nevojitet diçka e re nga Azure, ne kemi mundësi të ndikojmë në formësimin e zhvillimit të produkteve të reja te Azure që të na përshtaten drejtpërdrejt me nevojat tona. Kjo ka funksionuar shumë mirë për ne.

Ju e keni lansuar zyrtarisht Gjirafa.com në një ngjarje të madhe muajin e kaluar në Kosovë. Na trego se si shkoi.

Ka qenë një ditë emocionuese. Së pari për ekipin, sepse e pamë që kjo është një ditë për ne. E sollëm “bishën” Gjirafa, në pikën që ishte e gatshme të shihej nga bota! Përtej këndvështrimit të marketingut, e kemi parë si një moment krenarie për arritjet tona të deritanishme. Organizimi i ngjarjes ishte i shkëlqyer, ku bashkëthemeluesi dhe COO, Diogjen Elshani, me ndihmën e ekipit, pati mundësi të përkujdeset që çdo gjë të shkojë rrjedhshëm – nga ftesat, tek transmetimi drejtpërdrejt në Internet dhe çdo gjë tjetër përgjatë.

Ngjarja ishte me të vërtetë unike për Kosovë. Për ndërmarrje të reja në Kosovë, ishte me të vërtetë për t’u veçuar. Ia arriti pothuajse në çdo kanal televiziv, dhe unë isha duke dhënë intervista drejtpërdrejt gjatë tërë ditës në televizione të ndryshme. Emision special është përgatitur nga një kanal, dhe ne kishim ekskulzivitet për 7 minuta, në rrjete tejet të vlerësuara, dhe kishim kanalin numër 1 të lajmeve të dedikonte 20 minuta për Gjirafa, e cila kronike është ripërsëritur për një javë të tërë. Ishim kudo në televizione gjatë asaj jave, dhe nga ajo perspektivë, ishte nje sukses kolosal të arrinim të flitej për neve dhe përpjekjet tona.

Gjithashtu disa njerëz të rëndësishëm ishin në ngjarje. Prezent ishin diplomatë dhe politikanë, si dhe njerëz të famshëm. Me të vërtetë ishte një gjë e madhe, dhe ditë e mrekullueshme për ekpin. Ne i kemi përcjellë lansimet që ndodhin në Sillicon Valley, dhe i kemi modeluar sikurse fjalimet e Apple. Jemi munduar ta bëjmë emocionuese dhe jo shumë zyrtare. Të qëndrojmë sa më afër. Te flasim për ide të mëdha, por me fjalorë të thjeshtë. Kjo me të vërtetë arriti vëmendjen e publikut.

Ku e shihni veten me Gjirafa.com pas një viti? Cilat shërbime planifikoni t’i ofroni në të ardhmen e afërt?

Do të kemi disa shërbime për kërkime vertikale, përfshirë veturat, patundshmëritë, produktet e veçanta si: telefonat, apo vendet e lira të punës, si dhe do të përfshijmë dhe shërbime të krahasimit të produkteve ndërmjet sajteve. Do të dyfishojmë shtrirjen e indeksit tonë, dhe do te kemi mbi 50 milion ueb faqe që do të jenë në dispozicion të kërkohen në Gjirafa.com. Po ashtu ne do të lansojmë aplikacion për iOS dhe Android, dhe kjo do të mundësojë qe më mirë t’i shërbejmë tregut mobil, i cili është dominant.

Mundësisht, do të shikojmë disa gjëra të tjera, si kërkimi i specializuar akademik, dhe kërkimi i dokumenteve publike qeveritare – themelim biznesi, ligje, dhe shënime publike.

Foto 3

Faleminderit Mërgim, a dëshironi të shtoni diçka tjetër?

Kam një ngjarje për të ju treguar! Ju premtoj që është interesante.

Pra, ne e kemi një pjesëtarë të ekipit në rolin e “koordinatorit të informatave”. Kjo thjeshtë do të thotë që ai praktikisht shkon në stacion të autobusëve apo aty ku ndalet autobusi, në mënyrë që të për sigurohet se data-baza jonë është e saktë, dhe që oraret e autobuesëve nuk kanë ndërruar. Qeveria Shqiptare nuk e ofron këtë informatë në Internet.

Një herë para disa javësh, dhe ju betohem që kjo është e vërtetë, ai ishte në një fshat shumë të vogël, me shumë pak banorë. Ai u drejtohet disa të moshuarve duke i pyetur për informata në lidhje me orarin dhe stacionin e autobusëve. Ata e pyesin “Ku po shkon”, ky thotë “vetëm po e kërkoj orarin e autobusëve”, njëri nga ata i thotë “ ske më nevojë ta bësh këtë sepse, ke dëgjuar për këtë gjënë Gjirafa.com, i ka të gjitha”. Na beri për të qeshur kur e dëgjuam këtë. Ai *është* Gjirafa, por njerëzit e marrin këtë si të mirëqenë. Dhe kjo është thjesht fantastike. Unë mendoj se nëse njerëzit e shohin këtë si diçka që e meritojnë, atëherë ata do të kujdesen që ne t’u ofrojmë atë që ata kërkojnë nga ne. Dhe ajo pritje është pikërisht ku ne shkëlqejmë. /ameble

SHPËRNDAJE