Prezantuesit në Business Tuesday #13 thanë se trendet e fushës së teknologjisë do vazhdojnë të jenë aplikacionet për pajisje mobile të mençura dhe për ueb. Gjithsesi parashikohet që gjatë vitit 2014 të ketë një trend të përdorimit të pajisjeve që vishen (wearables), analitikës së të dhënave në bazë të konsumatorëve, blerjeve online, rritje e aktivitetit të freelancers, “cloud computing” dhe të aplikacioneve që lidhen me shëndetësi, shërbime publike dhe kontrollim të pajisjeve shtëpiake.

ICK Tech Trends 2014

Ekspertë dhe persona drejtues në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit në Kosovë para mbi 60 të pranishmëve në Business Tuesday #13, të organizuar nga ICK, diskutuan mbi trendet teknologjike në Kosovë dhe botë për vitin 2014. Në këtë ngjarje u theksua se Kosova tashmë po i bashkangjitet trendeve botërore të përdorimit të teknologjisë, ku dominon kërkesa për aplikacione të telefonave mobil  dhe të uebit, prania e të cilëve është e domosdoshme në shumë aspekte të jetës së përditshme. “Po mundohemi me e promovu Kosovën si një vend ky IT është shumë me prosperitet, është potencial shumë i madh”, tha Vjollca Çavolli drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK). Ajo tha se për të rinjt e Kosovës teknologjia nuk është vetëm pjesë e përditshmërisë si mjet i komunikimit por gjithnjë e më shumë edhe mjet i punës. “Ky është një trend që na mundëson një zhvillim të hovshëm dhe ne po mundohemi ta mbështesin dhe ta mundësojmë edhe me tutje”, tha Çavolli. Ajo shtoi se STIKK ka organizuar shumë trajnime, punëtori në Kosovë dhe jashtë vendit, duke vendosur theksin në pjesëmarrjen e kompanive, startupave dhe ekspertëve kosovarë të IT-së në CeBIT – panarin e TI-së që mbahet në  Hannover të Gjermanisë.

“Veç ja kemi nisur me startupe që ofrojnë shërbime për kompanitë jashtë vendit dhe ky trend është në rritje e sipër”, tha ajo duke shtuar se janë disa faktorë që ndikojnë në sektorin e eksportimit të shërbimeve. Trendet për vitin 2014, të identifikuara nga STIKK-u, janë aplikacionet për telefona mobil dhe ato të uebit, zhvillimi i lojërave për telefona mobil, blerjet online, avancim i edukimit në fushën e IT-së dhe i zhvillimit të politikave në nivel qendror, rritje e aktivitetit të “freelancers”, finalizimi i Strategjisë shtetërore të TIK-ut si dhe inkuadrimi i Kosovës në sistemin “Pay Pal”, tashmë që Kosova veçse e ka ‘SWIFT CODE’ e vet. Këto trende që janë identifikuara janë edhe si pasojë e penetrimit të internetit në Kosovë, që ka shkaktuar një boom në këtë aspekt”, tha Çavolli duke shtuar se ky trend në Kosovë është gjithnjë në rritje. Çavolli, në Business Tuesday #13 e prezantoi temën “Trendet në teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit në Kosovë”.

Analiza e kontekstit 

Bersant Deva kandidat për PhD në Universitetin Teknik të Berlinit dhe i angazhuar në Deutsche  Telekom Ags, që përmes SKYPE-it prezantoi  mbi temën “Analiza në bazë të kontekstit”, tha se teknologjia e telefonave mobilë është në trend ngase telefonat mobilë sot ofrojnë shumë më tepër mundësi sesa kompjuterët dhe llaptopët, duke përfshirë shërbime që kanë të bëjnë me motin, shtypjen e ajrit, trafikun, mësimin, etj.

“Më në fund telefoni është bërë më i mençur sesa kompjuteri”, thotë Deva duke shtuar se sot ka më shumë të dhëna, më shumë mundësi për të krjiuar dhe për të vepruar. “Të dhënat e kontekstit quhet çdo informacion që mund të karakterizoj situatën e një entiteti, entiteti mund të jetë person ose gjithçka tjetër”, tha ai në kuadër të prezantimit të tij në Business Tuesday #13. Si trende kryesore teknologjike edhe Deva i përmendi aplikacionet për telefona të mençur dhe për ueb. Ai shtoi se  rol të rëndësishëm do të ketë edhe analiza e të dhënave në bazë të konsumatorëve, e cila do ti ndihmojë kompanitë e mëdha që të ndërtojnë strategjitë e të bërit biznes. Pas kësaj, pritet që trendi të kalojë tek analiza e të dhënave edhe më të mëdha (5-50 terrabajt), e cila do të diktojë edhe zhvillimin e teknikave dhe algoritmeve të reja. Deva shtoi se do të vazhdojë të zhvillohet sistemi GPS për transportin publik, teknologjia e kontrollimit të pajisjeve shtëpiake “Smart Home”, si dhe digjitalizimi i administratës  “Kemi shumë mundësi tjera sidomos në aspektin e “smart cities”, tha ai duke shtuar se do të ketë një trend të aplikacioneve që kanë të bëjnë edhe me banim dhe me shëndetin e njeriut.

Teknologjia ndihmë për administratën publike 

Kujtim Gashi drejtor i Agjencionit të Shoqërisë së Informacionit të Kosovës, i pranishëm në Business Tuesday #13, e prezantoi punën e bërë nga agjencia që e drejton. “Në vitin 2014 Qeveria e Kosovës e ka funksionalizu Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, kjo është si rrjedhojë e aprovimit të ligjit në vitin 2013 që është aprovu ligji për organet e shoqërisë së informacionit”, tha Gashi duke shtuar se agjencia për detyrë e ka koordinimin me institucionet qeveritare dhe të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime nga teknologjia e informacionit apo përdorin sisteme dhe aplikacione brenda institucioneve. “Kur po flasim për administratën publike dhe për reformën e administratës publike pashmangshëm duhet të flasim edhe për teknologji”, tha Gashi duke e konsideruar teknologjinë si kyçe në zhvillimin dhe modernizimin e sektorit publik. Kontribut të jashtëzakonshëm, sipas tij, për zhvillimin e këtij sektori po japin kompanitë kosovare të teknologjisë së informacionit, të cilat kanë arritur trende të mira të zhvillimit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Dardan Sejdiu, nën-kryetar i komunës së Prishtinës, i cili premtoi që komuna do të shërbejë si lehtësues për punën e organizatave si ICK-ja dhe do të angazhojë komunitetin e teknologjisë informative në gjetjen e zgjidhjeve teknologjike për nevojat e komunës. Sejdiu theksoi se komuna do të digjitalizojë Departamentin e ofiqarisë dhe bashkësitë lokale, Planin urbanistik dhe buxhetin, si dhe do të zhvillojë aplikacione online për leje ndërtimi, plane rregulluese dhe konkurse për vende të lira pune.

Takimi përfundoi me prezantimin e  Hekuran Dolit – CEO në kompaninë Terabytespace, i cili foli për trendet globale të teknologjisë informative në vitin 2014. Doli tha se disa ngjarje të ndodhura gjatë vitit 2013 e kanë ndryshuar totalisht kursin në zhvillimin e trendeve në teknologji. “Ka pasur zhvillime në veshjet inteligjente – wearebles ku kemi pasur disa orë dore prej Apple, Galaxy Gear, Google Glasses”, tha Doli duke shtuar se trendet e teknologjike të vitit 2014 do të bazohen kryesisht në trendet ekzistuese duke i marrë në konsideratë edhe disa ngjarje të ndërlidhura me mungesë sigurie në internet,  rasti NSA-Snowden dhe problemet me ndërhyrje në informacionet e kredit kartelave. “Viti 2014 do të karakterizohet prej aplikacioneve mobile, prej “internet of things”, cloud computing , si dhe JAVA Script, HTML dhe CSS3 do të përdoren më shumë për zhvillimin e aplikacioneve mobile, pasi që lejojnë përshtatje në platformat iOS, Android dhe Windows”. Sipas Dolit, gjatë vitit 2014 një numër i madh i aplikacioneve për telefona mobil do të dështojnë, për shkak se janë duke u zhvilluar në numër të madh, ndërsa klientët e kanë shumë të vështirë t’i gjejnë e t’i përdorin të gjitha si dhe prej uebit”, tha Doli. Doli poashtu shtoi se gjatë vitit 2014 do të ketë edhe zhvillim të aplikacioneve të uebit, por edhe zhvillim të pajisjeve shtëpiake që prodhohen për t’u menaxhuar nga aplikacionet mobile. Kohëve të fundit, ekziston tendenca që inovacionet të ndodhin në nivelin nano-shkallë, gjë që do të thotë se shumica e njerëzve nuk mund ta shohin apo ta përjetojnë atë. Megjithëkëtë disa parashikime për risi pritet të ndodhin gjatë vitit 2014: Shpërthimi në treg i pajisjeve të mençura teknike shtëpiake; Reklamat do jenë kudo; Qytetet do të kenë më shumë pajisje të mençura duke përfshirë aplikacione dhe sensorë lidhur me transportin, matjet, kujdesin shëndetësor, ndriçimin, mjedisin; Monedha mobile do të vazhdojë të rritet; Pajisjet e kombinuara me veshje do të shtohen, Google e ka Glass-in, Samsungu e ka Smartwatch-in, por iWatch i Apple dhe shumë teknologji të tjera të ngjajshme do të dalin së shpejti në treg;  iPadët dhe tabletët do të jenë pjesë e arsimit; Pajisjet mobile të fitnesit do të zhvillohen edhe më tej; Analiza në bazë të kontekstit do të ketë rritje; Shitjet e printerëve 3D do të kenë rritje.  /ICK /ameble