SHPËRNDAJE

“Business Tuesday” i katërmbëdhjetë me radhë, organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK) u fokusua në një diskutim mbi temën “Siguria e të dhënave | Rrjeteve | Web-it”. Siguria në internet është me rëndësi jetike për bizneset që ofrojnë shërbime dhe produkte në rrjet. Në këtë drejtim Kosova nuk përbën përjashtim. “Business Tuesday” #14 ka mbledhur ekspertë nga fusha e TIK-ut që specializohen për siguri të rrjeteve dhe uebit.

Një aspekt jetik i të bërit biznes në internet është ruajtja të dhënave në rrjet dhe në ueb. Ky koncept ka të bëjë me mbrojtjen e shërbimeve, produkteve të ofruara në internet, duke përfshirë edhe përdorimin e masave digjitale që aplikohen për të parandaluar qasje të paautorizuar në kompjuterë, bazat e të dhënave dhe nëpër faqet e internetit. Këto tema u diskutuan gjatë Biznes Tuesday #14 që mblodhi mbi 70 profesionistë të Kosovës të sigurisë në internet dhe rrjet. E nga këto lloj kërcënimesh të mundshme virtuale përjashtim nuk bën as Kosova.
Gjatë diskutimit mbi temën “Siguria e të dhënave | Rrjeteve | Web-it” ekspertët folën edhe për mënyrat sesi mund ti mbrojnë bizneset nga kërcënimet online. Sipas tyre siguria e të dhënave është prioriteti kryesor për organizatat e ndryshme që funksionojnë online.
“Mendoj se vetëdijësimi jo vetëm i bizneseve por edhe i përdoruesve të atyre produkteve është kyç për arsye se tek ne zhvillimi i teknologjisë, sidomos blerja në internet ka filluar, është në hapat e parë dhe mendoj se informimi i blerësve dhe shitësëve për keqpërdorim të informatave qoftë personale qoftë ato financiare ka ngecur dhe mbajtja e këtyre eventeve do të ndikojë në vetëdijësdimin e tyre”, tha Mërgim Cahani themelues i Phronesis Technologies që foli për temën “Siguria e të dhënave & Rrjeteve”. Cahani nivelin e sigurisë online në Kosovë s cilësoi si të mangët.

Kurse Shpend Kurtishaj tha se në Kosovë ka shumë rreziqe online sidomos “bugs” ngase në këtë fushë mungon investimi dhe dija. “Rëndësi duhet ti jipet sigurisë së atyre informatave personale dhe kjo bëhet duke kontraktuar dikë që e di atë punë”, tha Kurtishaj që është bashkëthemelues dhe hulumtues i sigurisë së uebit në kompaninë Darts Security. Kurtishaj e prezantoi temën “Siguria e WEB-it & shembuj praktik”. Kurse Tanzer Abazi bashkëthemelues dhe hulumtues i sigurisë së uebit në kompaninë Darts Security u foksua në temat “Përdorimi i sigurtë & Privatësia” dhe “Çka është WhiteHats”. Abazi pohoi se rëndësia e sigurisë së rrjetit njhet globalisht dhe se çdo institucion duhet ta ketë rrjetin e vet të ndarë që në gjuhën praktike quhet “lan”. “Jo çdokush duhet të ketë qasje në informatat e gjithësecilit por ideja është me klasifiku informatat dhe me u nda në bazë të roleve që ata ushtrojnë në organizatë”, tha Abazi.

Poashtu gjatë kësaj ngjarjeje prezatoi edhe Mentor Hoxhaj zv. Mbikqyrës Kryesor Shtetëror i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. “Pjesa më e rëndësishme realisht e aktivitetit të institucionit tonë është që të jemi pjesë e këtyre eventeve, të bashkëbisedojmë lidhur me rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë ngase është kontakti me të cilin ne drejtëpërdrejtë mund të bisedojmë lidhur mbi shqetësimet tona si autoritet”, tha Hoxhaj i cili poashtu e prezantoi edhe punën dhe historikun e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Pas Business Tuesday #14, nën drejtimin e Ardian Haxha dhe Drinor Selmanaj u mbajt poashtu, edhe  Punëtoria “HACK FOR FUN” ku të pranishmit të shumtë diskutuan mbi temat: “Çka është rrjeti”; “Wireless Protokolet (WEP, WPA, WPA2)”; “Të pasurit qasje në rrjet”; “Të njohurit e administruesit të rrjetit”; “Marrja e informacioneve”; “Kryerja praktike e një sulmi”./ICK /ameble

SHPËRNDAJE