Facebook ka menduar dhe për përdoruesit e smartphonëve Android me specifika të dobëta dhe ka lançuar sot një aplikacion që funksionon vetëm në disa shtete në zhvillim.
Aplikacioni quhet Facebook Lite nuk është gjë tjetër veçse një version më i thjeshtë i aplikacionit të mirënjohur Facebook. Facebook Lite është vetëm 262KB në madhësi dhe punon në pajisjet me specifikat më të dobëta që kanë mundësi lidhjeje vetëm me rrjetin 2G. Siç thuhet në një artikull nga TechCrunch, aplikacioni Facebook Lite bazohet në Snaptu, një aplikacion që Facebook zotëron që nga viti 2011 dhe që shërben për t’u kyçur në telefona të thjeshtë.
Aplikacion Facebook Lite duket i thjeshtë në dizajn dhe funksionalitet dhe të gjithë komponentët kryesorë gjenden aty, si Messenger, Pages, Groups, etj. Aplikacioni gjithashtu krijon njoftime, kështu që përdoruesve u ofrohen shërbimet bazë. Ja përshkrimi i aplikacionit në Play Store:
- Instalohet shpejt – Aplikacioni zë më pak se 1MB
- Hap postimet shpejt
- Është efikas në përdorimin e lidhjes së Internetit
- I dizenjuar për rrjetin 2G dhe zonat me lidhje të dobët të Internetit
Aplikacioni duket se është lançuar që në datën 20 Janar në disa shtete si Bangladesh, Nepal, Nigeri, Afrikë e Jugut, Sri Lanka, Vietnam dhe Zimbabve. Këto janë vende me lidhje të dobët Interneti dhe ku smartphonet janë të rrallë. Facebook ka zgjedhur këto shtete për të provuar cilësinë e shërbimit dhe do ta zgjerojë shërbimin dhe në shtete të tjerë.
Ju mund ta shkarkoni Facebook Lite nga Play Store ose ta shkarkoni si APK. /ameble/