Me shpresën që keni kaluar një javë të mirë, po ju sjellim ngjarjet kryesore që kanë karakterizuar teknologjinë këto ditë. Përmbledhja Javore këtë javë nuk përfshinë shumë lajme, mirëpo po i përmendim shkurt ato që kanë qenë.
Të reja
Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, Microsoft të martën ka njoftuar për smartphone-in e parë me Windows Phone që tanimë nuk posedon emrin e Nokia-s, ai quhet Microsoft Lumia 535. Ky smartphone posedon karakteristika të mesme dhe pritet të jetë me çmim të volitshëm. Shitjet do të nisin nga muaji Nëntor në tregjet kryesore dhe do të jetë në dispozicion në një larmi ngjyrash. Çmimi zyrtar do të jetë rreth 110€.
Edhe YouTube të mërkurën ka lansuar zyrtarisht shërbimin Music Key për muzikë streaming, ku abonimi mujor për të kushton 9.99$. Shërbim u mundëson të dëgjoni muzikë nga sfondi, që do të thotë se edhe nëse e mbyllni kompjuterin, muzika mund të vazhdoj. Gjithashtu mund të caktoni video specifike për rishikim offline, kështu që mund të dëgjoni muzikë edhe nëse ju humb lidhja e internetit.
Lajme tjera
Kompania LG ka konfirmuar se smartphone-i i tyre G3 do të jetë i pari që do të marrë versionin e fundit të Android-it, Android 5.0 Lollipop. Të gjitha karakteristikat që janë prezantuar për ketë version do të jenë të përfshira në ketë përditësim për G3-in, duke përfshirë notifications, visual enhancements, si dhe mundësinë për të zhbllokuar pajisjen me anë të orës Android Wear.
Tani më shumë se 500 milionë njerëz përdorin aplikacionin Messenger të Facebook-ut. Në fund të muajit Korrik rrjeti social e ka zhvendosur Messenger-in kryesor nga ueb-faqja në aplikacion dhe kështu kishte filluar t’i detyroj përdoruesit të shkarkojnë aplikacionin për biseda të shpejta. Tani katër muaj më vonë, është raportuar se gjysmë miliardë përdorues në muaj e përdorin atë për komunikim.
Twitter gjithashtu ka mbajtur një konferencë krejt të re ku ky rrjeti social ka ndarë planet e saj për të ardhmen dhe nga kjo kemi mësuar se ka do të shkoj në të ardhmen. Kompania ka zbuluar planet për një opsion të ri të quajtur “Instant Timeline” që ka si synim vizitorët që qasen për herë të parë, gjithashtu edhe një tjetër funksion “While You Were Away” si dhe përmirësime të reja në mesazhet e drejtpërdrejta të Twitter-it.
Edhe ekipi i Skype-it të premten kanë njoftuar për një mundësi krejt të re për përdorimin e Skype-it drejtpërdrejt nga ueb-i. Kjo nënkupton se nuk keni nevojë më të instaloni softuerin e Skype-it, krejt çfarë ju duhet është të hapni faqen nga interneti, të kyçeni në Skype dhe filloni bisedën.
Dhe në fund Jolla ka postuar një cicërim në Twitter, që nënkupton se diçka e re do të vijë javën e ardhshme, e që është 19 Nëntori. Kompania ka filluar të numëroj kohën në ueb-faqen e saj me titull “Something BIG is about to begin.” Pa supozuar shumë kjo ngjarje është paralajmëruar të ndodh javën e ardhshme, kështu qe të presim edhe të shohim qfarë do të na sjellë Jolla kësaj radhe.
Deri javën tjetër ju përshëndesim dhe ju urojmë një fundjavë të këndshme. Për të qenë më afër nesh, na përcillni nëpërmes faqes tonë në Facebook, Twitter si dhe shikoni videot në Youtube. /ameble