Administrata Tatimore e Kosovës e ka gjobitur me 530 mijë euro kompaninë “3CIS” me arsyetim se nuk ka paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Kjo kompani thotë se 100% të shërbimeve të saj i ka eksportuar jashtë Kosovës, prandaj nuk ka përse të paguajë TVSH në Kosovë. Kjo gjobë e ka shtyrë kompaninë t’i largojë nga pune 30 punëtorë dhe të rishikojë mundësin e zhvendosjes nga Kosova.

Kompania Softuerike

Kompania 3CIS (Sisco Sistem) u themelua në nëntor të vitit 2008, kryesisht në pronësi me kapital amerikan. Specializimi ynë fillestar ishte ofrimi i shërbimeve 3G/4G, në veçanti ofrimi i shërbimeve profesionale për operatorët botërorë të rrjeteve të telefonisë mobile. Asokohe, ne u përcaktuam për Kosovën si një vend i përshtatshëm për atë çka dëshironim të ofronim, përkundër faktit se kishte mungesë ekspertize në këtë lëmi”, thuhet në adresimin për media që e kanë bërë drejtuesit e kesaj kompanie.

Sipas 3CIS, me kohë veprimtaria jonë është zgjeruar duke përfshirë rrjetet e ndërmarrjeve, sigurinë e rrjeteve të telefonisë mobile, zhvillimin e softuerëve dhe zhvillim të shkallës se lartë të Wi-Fi rrjeteve private dhe publike, e gjithashtu edhe video dhe web optimizëm për operatorët 3G dhe 4G.

“Numri i t punësuarve deri më sot arrin në 150 punëtorë. Duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë, kjo ndoshta nuk është e mjaftueshme për të përmirësuar këtë nivel, por megjithatë janë 150 familje me të ardhura të nevojshme, të cilët shpenzojnë dhe ndihmojnë komunitetin. Në të vërtetë, kjo është ajo që i duhet zhvillimit të Kosovës. Shkalla e lartë e punësimit do të thotë më shumë mjete dhe fonde në ekonominë e vendit, e cila çon drejt një ekonomie të shëndetshme. Qeveria do duhej të ishte mirënjohëse meqë çdo person i punësuar gjeneron të ardhura, të cilat rezultojnë me tatime mbi pagat, si dhe tatime të dala nga shpenzimet individuale (TVSH). Kjo do të ishte padyshim një gjë e mirë për të gjithë, mirëpo ngjarjet e fundit kanë treguar një mungesë themelore të të kuptuarit të këtij parimi të thjeshtë ekonomik”, thuhet ne njoftim te 3CIS.

Kjo situatë, sipas 3CIS, është sfida jonë më e madhe që kemi hasur deri më sot, prej fillimit të operimit tonë në Kosovë. Megjithëse jo të gjithë mund të ndajnë të njëjtin mendim, ne shpresojmë se mund të nxjerrim në dritë një çështje madhore, e cila mund t’i dekurajojë investimet e mëtejshme në një vend i cili ka nevojë urgjente për to. Kjo sfidë ka luajtur rol mjaft të madh në dëmtimin e kompanisë tonë. Këto javë, ne kemi përjetuar ditët tona më të vështira, pasi jemi detyruar të largojmë nga puna 20% të punëtorëve . Kemi të bëjmë me një numër prej 30 punëtorëve, të cilët fatkeqësisht nuk do të marrin më pagë dhe nuk do të kontribuojnë në forcën blerëse dhe vjeljen e taksave nga autoritetet përkatëse.

“Në procesin e auditimit është rishikuar qarkullimi në shumë prej 20 milionë dollarësh, gjatë një periudhe prej pesë vjetësh. Përgjatë tërë periudhës së funksionimit të kompanisë sonë, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka hasur në mospërputhje prej vetëm 700 eurosh, ekuivalente me 70 euro borxh nga kompania jonë (që nënkupton se norma e saktësisë së regjistrit tonë është rreth 99,99%). Për më tepër, ATK-ja ka pranuar se nuk ka hasur kurrë në një kompani me të dhëna kaq të sakta financiare dhe të udhëhequra aq mirë. Si pikë referimi, në vitin 2011 jemi shpallur si “Eksportuesi më i mirë” nga Asociacioni i Eksportuesve të Kosovës dhe, gjithashtu, jemi shpërblyer nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si kompania “numër një” në mesin e bizneseve të vogla në Kosovë. Ne jemi shumë krenarë për të gjitha këto të cilat i kemi arritur falë punës sonë konsistente me integritet dhe vlerë të lartë morale”, thuhet me tej ne njoftimin e 3CIS.

Sipas 3CIS, pasi që nuk u has në ndonjë mospërputhje apo obligim të papërfunduar, me përfundimin e auditimit, kompania 3CIS në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme u penalizua për mospagimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Duke pasur parasysh se veprimtaritë të cilat ne ofrojmë janë 100% eksport i shërbimeve, nuk ka vend për t’u tarifuar me TVSH. Asnjë nga klientët e 3CIS nuk ndodhet në Kosovë. Arsyetimi i tyre (ATK-së) është i bazuar në një keqinterpretim të plotë të ligjit. Është “vendi i furnizimit” ai i cili përcakton nëse zbatohet apo jo TVSH-ja. “Vendi i furnizimit” (siç përkufizohet zakonisht në nivel global) është vendi ku konsumohen të mirat, ndërsa në rastin e 3CIS, klientët tanë janë të gjithë nga jashtë vendit (nga pesë kontinentet duke përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Gjermaninë, Afrikën e Jugut, Indinë, Australinë, Rusinë etj). Pavarësisht faktit se 3CIS posedon dokumentacionin e lëshuar nga ATK-ja, ku sqarohet se TVSH-ja nuk është e aplikueshme për shërbimet të cilat i ofrojmë, ATK megjithatë na ka detyruar të paguajmë tatimin, së bashku me interesin, dhe gjithashtu jemi kërcënuar me penalizime shtesë, në qoftë se nuk e paguajmë obligimin e plotë përnjëherësh. Në fund, kompania jonë u dëmtua nga një faturë e paplanifikuar dhe e papërballueshme, me vlerë neto prej 530.000 eurosh.

Pas apelimeve të shumta ndaj ATK-së dhe shpenzimeve të konsiderueshme për konsulenca juridike dhe financiare, ne thjeshtë u refuzuam dhe u detyruam të paguanim. Zhgënjimi i mëtutjeshëm ishte kur përfaqësues të shumtë të ATK-së u deklaruan se kishim të drejtë, mirëpo refuzuan të na përkrahnin në mënyrë zyrtare. U udhëzuam që fillimisht të paguajmë dhe më pas ta dërgojmë [ështjen në gjykatën përkatëse dhe ta fitojmë rastin. Kjo ishte tronditëse dhe demonstroi injorancën totale ndaj pasojave të cilat mund t’i përcillte marrja e vendimeve të tilla të padrejta.

Kjo situatë na ka bërë të kuptojmë se ky është realiteti i të bërit biznes dhe funksionimit të tij në Kosovë. Jemi të brengosur për të ardhmen e kompanisë sonë, nga mundësia e gjobave të pajustifikuara, dënimeve, taksave apo çka do tjetër që mund të shfaqet papritur. Kjo sigurisht që nuk do të inkurajojë vazhdimin e investimeve tona, e gjithashtu nuk do të inkurajojë as bizneset tjera që të investojnë në Kosovë.

Me përpjekjet tona për të gjetur drejtësi dhe për të siguruar trajtimin e duhur, ne u kemi bërë apel Administratës Tatimore të Kosovës, Ministrisë së Financave dhe Odës Ekonomike Amerikane, në të cilën kemi qenë anëtarë dhe kontrubues të rregullt që nga viti 2009. Fatkeqësisht, nuk kemi pasur mbështetje nga asnjë nga institucionet. Përkundrazi, kemi hasur në indiferencë dhe mungesë të iniciativës për të zgjidhur një çështje problematike, e cila është shumë më e madhe se sa gjobitja e kompanisë sonë. Kjo është një çështje e cila e dëmton popullin e Kosovës, qeverinë e saj dhe prosperitetin e vendit. Andaj, nuk duhet të vazhdojë të jetë një sfidë për kompanitë të cilat dëshirojnë të themelojnë veprimtari në Kosovë.

Të pakta janë fjalët që mund të shprehin dëshpërimin tone, kur duhet ta marrim një hap të këtillë. Na mbetet të kërkojmë alternativa të tjera, andaj po marrim në konsideratë edhe zhvendosjen e veprimtarisë sonë jashtë territorit të Kosovës. Shpresojmë se me të ndarë përvojën dhe sfidat tona, krahas apelit tek akterët përgjegjës, ne kemi bërë thirrje që të sigurohet edhe trajtimi i barabartë për të gjitha kompanitë që operojnë në mënyrë të ligjshme në Kosovë. Nga kjo që u tha, ne nuk mund të presim një të ardhme të ndritshme për kompaninë 3CIS apo cilëndo kompani tjetër, deri atëherë kur kjo situatë të përmirësohet dhe ata të cilët veprojnë pa integritet të përgjigjen për veprat e tyre. Në mungesë të një mjedisi të favorshëm dhe të drejtë për biznes, zhvillimi i gjithëmbarshëm i shtetit të Kosovës është i paarritshëm. /gazetaexpress /ameble