“Çdokush mund të programojë, duhet vetëm punë dhe përkushtim” deklaroi 10 vjeçari Lum Axhemi, i cili bashkë me nëntë moshatarë të tjerë do ta përfaqësojnë Kosovën për herë të parë në garën ndërkombëtare të kodimit dhe programimit “Festival of Code 2014”, që këtë vit mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.

Prishtinë, 29 Korrik — Dhjetë fëmijë të moshës 9-15 vjeç nga Kosova, pjesë e grupit “Programerët e Rinj” do të marrin pjesë në garën ndërkombëtare “Festival of Code 2014” (Festivali i Kodit) që organizohet prej 29 Korrik – 3 Gusht në Mbretërinë e Bashkuar. “Festival of Code” është pjesë e nismës globale “Young Rewired State” – rrjet i fëmijëve nën 18 vjeç, të cilët kanë aftësi programuese.

Gjatë gjithë javës sa zgjatë kjo garë, fëmijët do të kenë mundësi të kodojnë dhe programojnë lojëra, aplikacione mobile, webfaqe, apo produkte tjera hardverike sipas imagjinatës së tyre.

Projekti “Programerët e Rinj” është nismë e Shoqatës për Teknologji të Informimit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), implementohet në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo (ICK) me sponsor ’Enhancing Youth Employment EYE’ , I financuar nga Zyra Zvicrane per Zhvillim dhe Bashkepunim SDC dhe implementuar nga Helvetas Swiss Intercooperation HSI dhe Management Development Associates MDA dhe ipkofoundation, si dhe me përkrahjen e “Frutomania”, “Proper Pizza” dhe “City Bakery”.

Young Coders Kosovo 1

Ceremonia zyrtare e hyrjes në garë të ekipit nga Kosova, u organizua në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK). Mjellma Hapçiu – Alijaj, nikoqire e ngjarjes, theksoi se në këtë ditë u përmbyll një rrugëtim i punës 4 mujore pregatitore me fëmijët dhe filloi rrugëtimi i ri për të rinjtë e Kosovës të cilët janë të gatshëm të zgjerojnë njohuritë e tyre programuese. “Jemi shumë të lumtur që të gjithë fëmijët të cilët kanë qenë pjesë e fazës pregatitore, nuk janë dorëzuar, dhe sot hyjnë në këtë garë bashkë me moshatarët e tyre nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës” theksoi znj. Hapçiu – Alijaj.

Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informimit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), deklaroi që ndjehet shumë krenare me grupin e fëmijëve. “Në të njejtën kohë, këta fëmijë n’a japin shpresë dhe optimizëm për të ardhmen e vendit tonë” tha znj. Çavolli, duke shtuar se fëmjët nuk duhet ta konsiderojnë shumë të rëndë këtë sfidë, por thjeshtë ta konsiderojnë një lojë. “Këtë javë ju do të luani, do të argëtoheni dhe do t’i tregoni botës se edhe në Kosovë ka talentë të kësaj fushe” përfundoi znj. Çavolli.

Drejtori i Innovation Centre Kosovo, z. Uranik Begu u shpreh shumë i kënaqur me punën e grupit të fëmijëve dhe bashkëpunimin me STIKK në realizimin e këtij projekti. “Me shumë kënaqësi e kemi pritur këtë bashkëpunim, duke e ditur se kjo është gjenerata e parë e koderëve të rinj, dhe se profesionistët nga fusha e TIK, duhet të fillojnë me kodim qysh në moshë të re” deklaroi z. Begu. “Ky është një fillim i bashkëpunimit më afatgjatë që do të prodhojë gjenerata e gjenerata të koderëve të rinjë, e pse jo edhe të lobojmë që kodimi të futet si lëndë në shkollat fillore, ngjashëm si në shumë shtete të zhvilluara” përfundoi ai.

Grupi i fëmijëve, njejtë sikur edhe në fazën pregaditore, gjatë kësaj gare do të udhëhiqet nga z. Driton Haxhiu (Ekspert i Programimit), i cili do të ketë edhe përkrahjen e mentorëve/studentëve: Doruntina Sadiku, Enkela Osmani dhe Fitore Salihu. z. Haxhiu deklaroi se fëmijët kanë qenë shumë të durueshëm dhe aktiv gjatë gjithë periudhës 4 mujore. “Do të jetë një javë shumë e ngjeshur, prandaj unë po besoj që fëmijët do ta kenë të njejtin përkushtim, në mënyrë që rezultatet e garës të jenë sa më të mira”, theksoi z. Haxhiu.

Koderët e rinj, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë janë: Doruntina Hoti (12), Enkelena Haxhiu (15), Jozef Komani (14), Erina Gashi (12), Lekë Hapçiu (14), Gentiana Hajdari (12), Leonard Ibrahimi (12), Gresa Isufi (14), Lorenc Ramadani (15) dhe Lum Axhemi (12).

Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në garën “Festival of Code” do të prezantojnë projektet e tyre finale të dielën më 3 gusht 2014, kur edhe do të shpallen fituesit. /STIKK