Linja Galaxy nga Samsung fillon me Galaxy S, që ka qenë një sukses në të gjitha aspektet. Që kur ka dal në treg, para 2 viteve, Galaxy S ka arritur në 24 milion të shitur. Galaxy SII, smartphone më i mirë i vitit 2011 deri më tani është shitur në 28 milion njësi. Edhe pse në kohën e lansimit, linja Galaxy S nuk është fare e lirë, sot një smartphone Galaxy SII mund të blihet me 350 euro i ri.

Përparësitë

  • Ekran Super AMOLED Plus 4.3” me rezolucion 800×480
  • Ekstra i hollë, 8.49mm
  • Ekstra i lehtë, 116g
  • Procesor dual-core Exynos 1.2GHz
  • 1GB RAM
  • Kamerë 8 Megapixel

Mangësitë

  • Kapaku i pasmë i ndërtuar nga plastika e hollë

Hardueri dhe Dizajni

Samsung ka një recept shumë interesant për smartphone të suksesshëm. Një formë e thjeshtë katërkëndëshi me qoshe në formë rrethore, një procesor revolucionar (për kohën e lansimit) dhe, produkti përfundimtar do të kontribuojë me 28 milion njësi të shitura. Përshtypja jonë e parë ishte, wow, qenka shumë i lehtë. Sa për dizajn, mund të themi se është pak a shumë bazik mirëpo impresionues. Pjesa e përparme ka ekranin Super Amoled Plus të mbrojtur me Corning Gorilla Glass (shumë rezistent ndaj gërvishtjeve), një buton me presion (Home), 2 butona kapacitiv (Menu dhe Back) dhe kamerën e përparme 2 megapixel së bashku me senzorët e tjerë.

Pjesa e prapme përmban kamerën kryesore 8 megapixel së bashku me flash, kapakun e baterisë që është i teksturuar (për të rritur sipërfaqen e kontaktit me ajrin me qëllim të ftohjes sa më të mirë) dhe altoparlantin në pjesën e poshtme.

Në pjesën e sipërme kemi vetëm një hapje 3.5mm për konektim të ndëgjojseve, dhe për dallim nga shumë smartphone tjerë, Samsung Galaxy SII nuk e ka butonin e ndezjes/ndaljes në pjesën e sipërme. Ky është një ndryshim fundamental për ata që vijn nga HTC sepse u duhet pak kohë për tu mësuar në lokacionin e ri që gjendet në anën e djathtë të telefonit (e që njëkohësisht është edhe i vetmi buton në atë pjesë). Kurse, butonat për ngritje/zbritje të zërit gjenden në pjesën e majtë. Pjesa e poshtme përmban portën micro usb për mbushje e cila mund të përdoret edhe për video dalje (për lidhje në TV) nëse kemi MHL adapter.

Ekrani dhe Zëri

Kualiteti i ekranit në smartphone lidhet drejtpërdrejt me suksesin e tij. Edhe nëse të gjitha komponentet tjera janë të kualitetit të lartë, ekrani është ai i cili e jep impresionin kryesor te shfrytëzuesit. Fundi i fundit, gara më e ashpër në teknologji është duke u zhvilluar në pajisjet mobile, e posaqërisht në ekranet e tyre. Galaxy SII është telefoni i parë me Super Amoled Plus (Galaxy S kishte ekranin Super Amoled), që është një përmirësim substancial në krahasim me para-ardhësin e tij. Dallimi kryesor në mes të dyve qëndron në radhitjen e sub-pixelëve. Super Amoled përdor RGBG (Red Green Blue Green), kurse Super Amoled Plus përdor RGB (Red Green Blue), e efekti përfundimtar është mprehtësia e imazhit.

Zakonisht, ekranet e bazuara në Amoled kanë tonalitet të “ftohtë” (kanë një intensitet të shtuar të ngjyrës së kaltër) të ngjyrave, mirëpo kualiteti i imazheve në Super Amoled Plus është i pa shoq. Me një rezolucion 800×480, të zeza me të vërtetë të errëta dhe ngjyra të theksuara (që rezulton në një kontrast superior), ekrani i Galaxy SII është impresionues në çdo aspekt, duke përfshirë këtu edhe operimin e telefonit nën dritën e diellit.

Në anën tjetër, prodhimi i zërit nga ky smartphone është i mjaftueshëm duke marrë parasysh destinimin e tij. Në rast të thirrjeve telefonike, dëgjohet lehtë. Për dëgjim të muzikës ju preferojmë ndëgjojse.

Kamera

Viti 2011 ishte viti kur smartphone me kamerë 8 megapixel filluan të bëheshin standard. Galaxy SII posedon 2 kamera. Të përparmen me 2 megapixel, që zakonisht përdoret për video thirrje me Skype apo Google Talk (ose edhe për të marrë foto të vetvetes, kontrollimin e frizurës ne rast të mungesës së pasqyrës :)), dhe të prapmen me 8 megapixel. Kualiteti i fotografive është jashtzakonisht i mirë nga të dy kamerat dhe mund të shfrytëzohet si kamerë primare për fotografët amatorë dhe gjysmë profesional. Kamera e prapme ndihmohet nga flash për fotografime në ambiente të errësuara me rezultate të kënaqshme. Në përgjithësi, mund të konkludojmë se kualiteti i imazheve është i një niveli të lartë.

Sa i përket videove, Galaxy SII mund të inçizojë video deri në 1080p. Edhe pse kualiteti i videove në 1080p është shumë i mirë, sipas mendimit tonë, inçizimi në 720p është më fluid dhe kualiteti i tyre në ekrane 40″ është marramendës dhe duket sikur janë inçizuar me kamerë gjysmë-profesionale. Inçizimi në ambiente të errësuara nuk është i nivelit të dëshiruar sepse flash-i nuk ndihmon shumë në këto raste.

Softueri

Galaxy SII është një smartphone me Android. Vjen me Android 2.3 Gingerbread, mirëpo zyrtarish në momentin e postimit, Galaxy SII mund të përditësohet (update) në Ice Cream Sandwich (ICS) 4.0.4. Samsung poashtu ka konfirmuar se Galaxy SII do të përditësohet në Jelly Bean 4.1.1 diku kah mesi i Shtatorit-Tetorit 2012.

Të gjithë ata që kanë perdorur Android, e dinë që është një sistem operativ që mund të përshtatet dhe modifikohet ashtu si ju keni dëshirë. Samsung përdorë Touchwiz si “Launcher” për smartphone/tablet të tyre. Përveç aplikacioneve të para instaluara në Gingerbread, Samsung ka shtuar edhe disa aplikacione të tjera që vlen të përmenden. Një listë më poshtë.

  • AllShare – Ky aplikacion bën të mundur lëshimin e videove në televizor përmes WiFi (natyrisht, nëse televizori ka mundësi). Me rastin e aktivizimit skanon smartphone për video/foto/muzikë dhe automatikisht e transformon telefonin në media server (DLNA). Pastaj përmes TV / Media Player mund të lëshohen videot, fotot apo muzika direkt nga telefoni. Aplikacioni më i preferuar personalisht.
  • Polaris Office – Një paketë e aplikacioneve, e ngjashme me Microsoft Office.
  • Social Hub – Kombinon të gjitha mesazhet/e-mailat nga secili shërbim shoqërorë që e perdorni (Facebook, Twitter, Exchange Account etj.). Personalisht këtë nuk e përdori fare sepse ekzistojnë alternativa më të mira nga Google Play.
  • Music Hub / Game Hub – Një portë tjetër për shkarkim të muzikës / lojërave, që për mendimin tonë nuk është aq funksionale sa Google Play.
  • Readers Hub – Vendi ku mund të shkarkohen libra e revista.

Performanca dhe Bateria

Pas eksperiencës 1 vjeçare me këtë smartphone, mund të themi së performanca dhe fluiditeti i Galaxy SII është superior. I pajisur me procesor Exynos dy-bërthamor (dual core) dhe 1 GB RAM, nuk kishte telefon që i afrohej për nga performanca në kohën e lansimit (gjysma e parë e 2011). Çdo aplikacion lëshohet shpejt dhe punon pa ngadalësime. Në mënyrë që performanca të jetë në nivel të dëshirueshëm, rekomandojmë që muzikën dhe filmat t’i kopjoni në SD kartë, duke lënë kështu hapësirë më të madhe për aplikacione në memorien interne.

Smartphone në përgjithësi, e sidomos ata me procesor shumë-bërthamorë e ekrane të mëdha në veçanti, e kanë pikë të dobët baterinë. Galaxy SII është i pajisur me një bateri 1650 mAh, që mundëson përdorimin e telefonit për të paktën 1 ditë. Kohëzgjatja e baterisë lidhet ngusht me mënyrën e përdorimit të smartphone dhe verzionin e Android. Sipas testimeve, me një mesatare ditore 1 orë bisedë me telefon, GPRS/Edge të lëshuar non-stop, sinkronizim të GMail, Hotmail dhe Microsoft Exchange, të paktën 1 orë ekran aktiv, Galaxy SII ka arritur një mesatare prej 1.5 ditësh me një mbushje të baterisë.

   

Duke krahasuar baterinë 1650 mAh të Galaxy SII me atë 3300 mAh të Motorola Droid RAZR MAXX, mendojmë se kjo është një fushë ku Samsung mund të bëjë përmirësime. Mirëpo, duke analizuar baterinë në Galaxy SIII (2100 mAh), Samsung është në rrugën e duhur.

Të gjithë ata që janë entuziast të smartphone, dhe që dëshirojnë të eksperimentojnë me Android, mund të arrijnë nivele shumë të dëshirueshme sa i përket kohëzgjatjes së baterisë. Ekzistojnë sisteme të ndryshme operative që janë të optimizuara për hargjim të ulët të baterisë, mirëpo kjo është një temë krejtësisht tjetër dhe nuk mund të shtjellohet në këtë post.

Përfundim

Dhe së fundmi, duke marrë parasysh të gjitha këto, edhe pse është smartphone i lansuar në 2011, me të mund të jeni komfort të paktën deri në mesin e 2013. Për momentin nuk ekziston ndonjë aplikacion apo lojë që mund të limitohet nga hardueri i këtij smartphone.

Si praktikë e mirë në të gjitha blerjet në teknologji është pritja. Zakonisht në kohën e lansimit çdo produkt është i shtrenjtë. Mirëpo me kalimin e kohës çmimi i tyre bie dhe mund të blejmë më shumë performancë për euro të shpenzuar. Duke marrë parasysh alternativat për momentin, Galaxy SII ofron shumë performancë për para të shpenzuara, e kjo e bënë që ky smartphone ende të jetë një konkurrent i fortë në botën mobile. |ameble|