Përderisa BlackBerry po tenton të ringjallet si një kompani softueri, kjo nuk e ka penguar kompaninë të vendos emrin e saj në smartphone Android të prodhuar nga të tjerët si modelet DTEK50, DTEK60 dhe KEYOne. Së fundi shefi ekzekutiv John Chen la të kuptohej se emri i kompanisë do të jetë pjesë edhe e një tableti Android.

Sipas BlackBerry, gjatë publikimit të raportit financiar të fundit për 2016-ën, shefi ekzekutiv ishte shprehur se duhet të lëviznin drejt fazës tjetër të licencimit të emrit që do të thotë se së shpejti BlackBerry do të ketë një tablet.

Chen nuk dha detaje se kush do të jetë prodhuesi i tablet-it por aktualisht dimë se kompania ka marrëveshje me TCL Communications, BB Merah Putih dhe Optimus për prodhimin e pajisjeve me emrin e BlackBerry.

Nëse ky synim bëhet realitet, nuk do të ishte hera e parë që shohim tablet BlackBerry. Në 2011-ën kompania publikoi BlackBerry PlayBook, një tablet 7 inç me sistemin operativ të kompanisë.

Pavarësisht reklamimit të shumtë që ju bë, PlayBook pati shitje të dobëta. /ameble.com