Google i shiti Lenovos pjesën më të madhe të kompanisë Motorola për 2.9 miliardë dollarë, por mbajti një pjesë të vogël të kompanisë. Ekipi i Motorolën për Projektet dhe Teknologjitë e avancuar ka punuar në projektin Ara (Project Ara) – një plan ambicioz për një smartphone modular (apo telefon të modifikueshëm) me çmim fillestar rreth 50 dollarë, pjesët e të cilit ju mund t’i blini dhe t’i përmirësoni. Phonebloks – kompania që ka punuar me Motorolën për të krijuar konceptin e këtij telefoni modifikues ka publikuar një video për projektin Ara dhe kanë shpjeguar se si po vazhdon puna.
Në video tregohet “skeleti” i telefonit ku vendosen pjesët e telefonit dhe kyçen me anë të magnetëve. Këto magnetë do t’i kyçin pjesët e telefonit dhe heqja e pjesëve do të bëhet vetëm pasi të jepet komanda nga telefoni. Kjo nënkupton se ky telefon nuk ka nevojë për një mbrojtëse për të mbajtur pjesët e tij.
Në video gjithashtu tregohet një program, i cili mundëson që blerësit ta modelojnë vetë telefonin e tyre me pjesët që duan ti kenë, ngjyrat dhe format e dëshiruara. Besohet se kjo video do të tërheqë interesin e publikut disa javë para Konferencës së parë të Projektit Ara, që do të mbahet në datë 15 dhe 16 Prill në Kaliforni. /ameble