SHPËRNDAJE

 

 

 

 

 

 

 

Vera vjen, temperaturat rriten. Është një sezonë që karakterizon një shitje të madhe të klimave. Me siguri që jeni përgatitur për ftohje, mirëpo pse mos të përgatitemi edhe për nxehje. Një rrugë e dy punë. Një pajisje për ftohje dhe për nxehje. Të gjithë jemi në njohuri të klimave të zakonshme që zakonisht përdoren për ftohje gjatë verës, mirëpo klimat e gjeneratës së re të ashtuquajtura “Inverter” popullarizohen secilën herë e më shumë.

Spjegim i teknologjisë inverter

Klimat tradicionale për të ruajtur temperaturën konstante ndalin komplet apo lëshojnë në shpejtësinë maksimale kompresorin (kompresor i referohemi pjesës së jashtme), kurse klimat inverter variojnë shpejtësinë e rrotullimit të kompresorit për të ruajtur temperaturën (përmes pjesës shtesë “inverter”). Kjo mënyrë e eliminimit të ciklit startues redukton konsumin e energjisë elektrike, zgjat jetën e pjesëve të klimës dhe eliminon ngarkesën e rëndë në instalimin elektrik. E gjithë kjo ndikon që klimat inverter të jenë më rezistencë ndaj prishjeve, me më pak zhurmë gjatë operimit dhe më të lira për mirëmbajtje. Gjithashtu ky lloj i klimave mund të përdoret edhe për nxehje deri në temperatura shumë të ulëta. Edhe pse, çmimi i tyre është përafërsisht dyfishi i çmimit të klimave të zakonshme, investimi fillestar zbutet me kalimin e kohës për arsye të shpenzimeve të ulëta që mund të arrijnë edhe deri në 40%.

LG CS12AF

LG është njëra nga kompanitë më të njohura në prodhimin e produkteve për ftohje. Njëra prej pajisjeve inverter që ne kemi testuar për ftohje në verë dhe nxehje në dimër është LG CS12AF. Ideja e përdorimit të klimave për nxehje gjatë dimrit nuk është njëra prej më të popullarizuarave në vendin tonë. Mirëpo sipas hulumtimeve në internet, mënyra më efikase e nxehjes është përmes klimave. Tash, vjen dilema. A të shkojmë me nxehje konvencionale si për shembull nxehje qendrore me rrymë që konsumojnë nga 6kW/h deri në 18kW/h, apo të testojmë diçka të re. Duke marrë parasysh që të dy llojet e nxehjes përdorin rrymën, atëherë personalisht kam vendosur që për dimrin e vitit 2011/2012 të testoj LG CS12AF për nxehje dhe gjatë verës 2012 për ftohje. Lexoni më poshtë për performancën.

[checklist]Përparësitë

  • Efikasiteti i energjisë
  • Operimi në temperatura të ulëta
  • Gjatë operimit, prodhon zhurmë minimale

[/checklist] [badlist]Mangësitë

  • Investimi fillestar

[/badlist]

Dizajni

LG CS12AF është një klimë “split-system”, që nënkupton se është e përbërë prej 2 pjesëve, pjesës së brendshme dhe asaj të jashtme (që i referohemi si kompresor). Për dizajn mund të flasim vetëm për pjesën e brendshme, sepse, pjesa e jashtme është pothuajse e ngjashme në të gjitha klimat. Me rëndësi për pjesën e jashtme janë dimensionet dhe pesha (28kg) për arsye të planifikimit gjatë instalimit.

Për pjesën e brendshme, si material ndërtimi LG ka përdorur plastikën (normalisht, përveç pjesëve të këmbimit të nxehtësisë dhe rotorit), që është një veti e ngjashme sikur shumica e klimave të tjera. Kjo e bën që kjo pjesë të jetë shumë e lehtë (vetëm 8.5 kg). Pjesa e përparme është elegante dhe kompakte dhe ka vetëm një linjë të LED-i për indikacion të nxehjes/ftohjes. Sipas mendimit tim, njësia e brendshme është shumë elegante dhe atraktive për sy, sidomos pjesa e LED-it që shkëlqen kuq kur klima përdoret për nxehje, dhe kaltër kur është duke ftohur.

Performanca

Kapaciteti i klimave për nxehje/ftohje matet me BTU (British Thermal Unit). BTU është njësia tradicionale e energjisë që nevojitet për nxehjen e 0.454l ujë nga 3.8 gradë në 4.4 gradë celsius. Shkurt e shqip, sa më i madh BTU aq më shumë nxeh/ftohë klima. LG CS12AF ka 12 000 (12k) BTU ose 12she ashtu si i referohemi ne. Zakonisht klimat e 12k BTU përdoren për hapësira nga 20 metra katror deri në 35. Mirëpo, për të llogaritur saktësisht se në cfarë hapësire mund të përdoret kjo 12k BTU klimë, janë disa faktorë të cilët duhet t’i marrim parasysh si:

  • Vëllimi i hapësirës që duhet të nxehet/ftohet
  • Materiali izolues
  • Ndryshimi në mes të temperaturës normale të dhomës dhe temperaturës së dëshiruar
  • Lagështia e ajrit
  • Numri i njerëzve në dhomë
  • Temperatura jashtë
  • Orientimi i ndërtimit (shembull, orientimi në jug ka diell non-stop, që e bën ftohjen më të vështirë gjatë verës, mirëpo nxehjen më të lehtë gjatë dimrit)

Si do që të jetë, CS12AF është testuar në 25 metra katrorë me 3 metra lartësi (75 metra kub), që është përafërsisht vëllim i njëjtë me 30 metra katror me 2.6 metra lartësi. Sikur dimrit ashtu edhe verës performanca ka qenë në nivel. Temperatura e dëshiruar është arritur shumë shpejt dhe ambienti ka qenë shumë i këndshëm. Kjo është edhe një veti shumë e mirë e klimave inverter që kanë mundësinë e mbajtjes konstante të temperaturës duke iu falënderuar teknologjisë. Duhet theksuar se në vitin 2011/2012 kemi pasë temperatura shumë të ulëta, gjë që ka bërë testimin e LG CS12AF shumë interesant. Sipas specifikave, zona e operimit të klimës në nxehje është deri në -15 gradë celsius. Mirëpo, temperaturat e vitit të kaluar kanë arritur edhe nën -20. Pa marrë parasysh, klima ka operuar pa asnjë problem dhe temperaturat brenda janë mbajtur konstant 22-24 gradë celsius. Në temperatura ekstreme të ulëta, nëse pjesa e jashtme ngrihet, klima këtë e detekton dhe pauzon 10-15 minuta derisa të ngroh veteveten për të vazhduar më tutje. Në përgjithësi jam absolutisht i kënaqur me performancën e kësaj klime. Sipas testimeve, temperaturat optimale gjatë nxehjes janë mes 22 dhe 24 (në sezonën dimërore), kurse gjatë ftohjes 26 gradë celsius (në sezonën verore).

Mundësitë

Një listë e mundësive më poshtë.

  • Largimi i lagështisë- Një opsion shumë i mirë për kontrollimin e lagështisë së ajrit. Lagështia e ajrit është një element shumë me rëndësi në ndryshimin e perceptimit të temperaturës së dhomës. Shembull, sa për ilustrim, një dhomë me lagështi 70% dhe temperaturë aktuale 24 gradë celsius perceptohet si 28 gradë celsius (shifra të përafërta). Largimi i lagështisë nga dhoma është një mundësi shumë e mirë për rehati në shtëpi. CS12AF ka mundësi të largojë lagështinë nga dhoma, mirëpo këtë e bën në funksion të ndarë nga nxehja/ftohja. Për ta përdorur klimën për largimin e lagështisë duhet të zgjedhim opsionin Healthy Dehumidification. Gjatë këtij procesi klima e largon lagështinë në mënyrë automatike (me normë 1.3l në orë) dhe përderisa ky proces është duke ndodhur nuk mund ta specifikojmë temperaturën e dëshiruar. Mundësia e caktimit të përqindjes së lagështisë në ajër dhe temperaturës do të ishte një opsion për tu dëshiruar, mirëpo edhe mundësia automatike nuk është për tu anashkaluar.
  • Filter i trefishtë – I përbërë prej tri pjesëve të specializuara të filterëve që si rezultat kanë ajrin më të pastër. Klimat janë shumë të ndjeshme në filterë, kështu që ne ju rekomandojmë që pastrimi i tyre të kryhet në baza mujore.
  • Pastrim automatik – Arsyeja kryesore e erërave të ndryshme që dalin nga klima qëndron të myku dhe bakteriet që mund të kultivohen në pjesën e brendshme. LG CS12AF ka mundësinë e pastrimit të vetvetës. Për ta aktivizuar shtypni butonin Auto Clean në telekomandë dhe pastrimi automatikisht do të aktivizohet pas ndaljes së klimës. Është me rëndësi të ceket se pjesa e brendshme e klimës do të vazhdojë të punojë për 30 minuta më shumë për shkak të tharjes së lagështisë përbrenda. Mos u alarmoni nëse pjesa e brendshme vazhdon të punojë edhe pse e keni fikur klimën.
  • Sleep mode – Opsion shumë i mirë për të programuar klimën për regjim nate. Me një prekje të butonit, klima programohet për regjim nate që zvogëlon shpejtësinë e ventilatorit në minimum për zhurmë minimale dhe rritë temperaturën për 2 gradë në 60 minutat e ardhshëm kur është duke ftohur, kurse zvogëlon temperaturën gjatë nxehjes për komfort më të mirë gjatë fjetjes.
  • Funksioni për ristartim automatik – Mundësia e rifillimit të punës pas ndërprerjes dhe ri-furnizimit me energji elektrike. Shembull, gjatë natës kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike, pa marrë parasysh, klima pas ri-furnizimit me elektricitet do të fillojë punën aty ku ka mbetur. Ky është një opsion esencial sidomos për vendin tonë.

Konsumi i rrymës

Besoj se kjo do t’iu pëlqejë! Në pergjithësi, klimat inverter karakterizohen me shpenzime të ulëta të operimit, që është një gjë shumë pozitive duke marrë parasysh çmimin e tyre. Efikasiteti e klimave matet me EER (Energy Efficiency Ratio – zakonisht për ftohje) dhe COP (Coeficient of Performance – zakonisht për nxehje). Shkurt e shqip, sa më i madh numri i EER dhe COP aq më efikase është klima. Dhe CS12AF nuk na dëshpëron aspak në këtë departament. Me një EER 3.3 dhe COP 3.71, kjo klimë hargjon përafërsisht 1.06 kW/h për ftohje dhe 1.08 kW/h për nxehje, që kategorizohet si A/A. Sa për referencë, një nxemse tradicionale me 3 tela konsumon 0.8 kW/h për secilin tel, dmth 2.4 kW/h.

Një analizë e shpejtë, na tregon se CS12AF hargjon 1.06/1.08 kW/h, kurse ftohë në ekuivalencë të 3.5 kW/h dhe nxen në ekuivalencë të 4.04 kW/h. Që do të thotë se nxen përafërsisht 2 herë më shumë se nxemsja tradicionale me 3 tela (nëse të tre telat janë duke u përdorur) dhe hargjon 2.5 herë më pak. Duhet të shtojmë edhe faktin që në momentin kur arrihet temperatura e dëshiruar konsumi i rrymës është minimal duke ju falenderuar inverter-it.

Përfundim:

Inverter apo jo? Kjo është një pyetje ku duhet të përgjigjeni ju. Mirëpo, edhe pse investimi fillestar është më i madh, klima e paguan vetveten për 2-3 vjet për shkak të efikasitetit. Duhet të zgjedhni, investim fillestar dhe zgjidhje për nxehje/ftohje me hargjime të ulëta (që ndikon në ruajtjen e planetit tonë), apo investim i ulët fillestar dhe hargjime të mëdha gjatë operimit. Për përfundim, si përdorues të 2 klimave LG CS12AF mund t’i rekomandojmë me sinqeritetin më të madh. /ameble

Këtë pajisje mund ta gjeni në:  

SHPËRNDAJE