SHPËRNDAJE

Motorola Moto G Front

Është e vërtet që Moto G është një telefon i prodhuar ekskluzivisht nga Motorola, por është e qartë që kompania e cila e zotëronte këtë të fundit, pra Google ka ndërhyrë në krijimin e kësaj pajisje, në mënyre që kjo të jetë sa më e përkryer.

Nëse e analizojmë këtë smartphone në aspektin material, pa tjetër që kjo pajisje tejkalon të gjithë konkurrentet me çmimin modest që ka ofruar pajisja Moto G.

Motorola Moto G vjen në dy modele: Modeli me një SIM kartelë dhe modeli Dual-SIM  (XT1033)  që përkrah dy SIM kartela.

Përparësitë:

  • Procesori 4-bërthamor 1.2 GHz
  • Përformanca e shkëlqyer
  • Ekrani fantastik
  • Dizajni
  • Bateria
  • Çmimi i volitshëm

Mangësitë:

  • Kamera mesatarisht e mirë
  • Ska mundësi për SD-Kartë

Hardueri dhe Dizajni

Qe në shikim të parë të Moto G-së shohim një telefon me një dizajn dhe dimensione tërheqëse pothuajse për çdo person. Një prapavijë të lakuar në anën fundore të tij, që në pjesën e sipërme arrin trashësinë 11.6 mm duke përfunduar në pjesën fundore me trashësi 6mm.  Çfarë do të thotë kjo, është se kombinimi i dimensioneve të tilla dhe materialit e bënë që ky telefon të mos peshoj më shumë se 143 gram dhe kështu të jetë mjaft i lehtë për tu mbajtur në dorë.

Fakti se Moto G është i tillë në dimensione dhe peshë, na kujton dëshirën e madhe për të zotëruar një telefon të mençur që është i lehtë për tu mbajtur dhe tamam i përshtatshëm në madhësi për tu futur në gjep apo mbajtur në dorë.

Pa marrë parasysh që materiali i Moto G-së është shumica material plastike, kualiteti i ndërtimit të tij të bën të ndjesh se ky smartphone është aq mirë i ndërtuar dhe asgjë nuk i mungon.

Ekrani dhe Zëri

Motorola Moto G ka një ekran të madhësisë 4.5 inç të llojit IPS LCD Capacitiv Touchscreen me mbrojtje Corning Gorilla Glass 3, 16M ngjyra me rezolucion (720 x 1280 pikselë) dhe densitet të pikselëve në vlerë prej 326p gjë që mundëson kualitet mëse të mjaftueshëm për të hapur çdo lojë apo aplikacion që gjendet në dyqanin Online Google Play.

Duke e konsideruar këtë pajisje si të rangut më të lartë se mesatar, mund të themi se ekrani i Motorola Moto G është mjaft i fortë, dhe mjaft i përshtatshëm për sytë.

Në anën tjetër, prodhimi i zërit nga ky smartphone është i mjaftueshëm duke marrë parasysh destinimin e tij. Altoparlanti në Moto G është i vendosur në anën e majtë të kamerës së pasme dhe mikrofoni i tij është i vendosur në pjesën fundore të anës së përparme. Në rast të thirrjeve telefonike, zëri dëgjohet dhe përçohet shumë mirë. Po ashtu gjatë lëshimit të muzikës zëri është mjaft i dëgjueshëm dhe i pastër.

Kamera

Moto G përbëhet prej dy kamerave, kamerës frontale dhe kamerës së pasme. Kamera frontale ka kapacitet prej 1.3 megapikselë dhe mundësi për komunikim me skype, Google Hangouts apo aplikacione të tjera. Kamera e pasme e Moto G-së ka kapacitet prej 5 megapikselë për fotografi dhe kualitetin 720p@30fps HDR për incizime, nën këtë kamerë gjendet Led Flash për ndriçim. Gjatë testimit të kësaj kamere kemi parë që kualiteti i fotografive dhe incizimet e nxjerra janë solide.

Motorola Moto G nëpërmjet softuerit të integruar ofron opsione të ndryshme të efekteve të fotografisë gjatë fotografimit të cilat mund të përzgjidhen drejt për së drejti. Për të aktivizuar këto opsione duhet të tërheqim gishtin nga pjesa e sipërme e ekranit apo nga ana e majtë e ekranit nëse jemi në pozitën Landscape.

Hapësira

Motorola Moto G për dallim nga shumica e smartphone-ve, por njëjtë me Google Nexus 4 dhe 5 nuk ka mundësi për zgjerim të hapësirës nëpërmes SD kartelës.

Hapësira e integruar e Moto G-së është e madhësisë 8 GB apo 16 GB varësisht nga versioni që zgjedhim ta blejmë. 3 GB e kësaj hapësire automatikisht e zënë nga sistemi operativ ndërsa 5 GB mbeten pjesa e lirë për instalimin e aplikacioneve dhe ruajtjen e të dhënave të tjera për versionin 8GB dhe 13GB për versionin 16GB.

Softueri

Në fillim të ndezjes së Moto G-së na shfaqet pamja mahnitëse e pa censuruar e Google Android 4.3 me logon e Motorolës, që në fakt është pjesa që shfaq “Mirëseardhjen”.  Koleksioni i shërbimeve të Google-it është mese i mjaftueshëm saqë mund të duket ndonjëherë se është edhe i ngarkuar për syrin, nga gjithë ato ikona të aplikacioneve që i shohim të  instaluara në ndërfaqe (user interface). Një përparësi tjetër që konsiderohet ndër më të rëndësishmet është shkathtësia në punën e këtij smartphone-i. Definitivisht  Moto G “fluturon” gjersa operojmë dhe është e vështirë që të vërejmë ndonjë lloj ngadalësimi apo bllokimi të momentit.

Gjithashtu, ky smartphone, vjen me dy aplikacione te Motorolës të para-instaluara ne të.

Aplikacioni Migrate që ndihmon në shkëmbimin dhe transferimin e përmbajtjes tonë nga një smartphone në tjetrin, dhe aplikacionin Assist që ndihmon në ndërlidhjen e aplikacioneve që kanë të integruara modulin e njoftimeve siç janë momentet e arritjes së një e-maili të ri, mesazhi, thirrje të humbur, konfigurimin e alarmit, etj.

Përformanca dhe bateria

Motorola Moto G ka një funksionalitet dhe përformancë të shkëlqyer duke përfshirë po ashtu edhe hapjen dhe funksionalitetin e aplikacioneve të instaluara pa asnjë problem. Përformanca e arritur vjen nga procesori 4-bërthamor 1.2 GHz i llojit Cortex-A7 me GPU Adreno 305. Po ashtu edhe shfletimi në internet (web browser) është shumë i kënaqshëm dhe këtu nuk ka ndonjë vërejtje. Një gjë që është shumë me rëndësi kur jemi tek përformanca është fakti se është pikërisht procesori 4-bërthamor dhe çmimi i këtij telefoni është ajo çfarë e ka bërë këtë pajisje të suksesshme në treg.

Bateria e Motorola Moto G është e fuqisë 2070 mAh dhe është e montuar përbrenda në pjesën e pasme. Gjatë testimeve të baterisë, nëse e përdorim telefonin në kapacitet modest, bateria e tij mund të qëndrojë deri në 2 ditë.

Përfundim

Është me rëndësi të përmendim faktin se smartphone Motorola Moto G që kur u lansua për herë të parë në fund të Nëntorit 2013, kjo pajisje ka arritur që të kryesoj në listën e produkteve më të shitura në dyqanet e Amazon-it nëpër botë. Arsyeja e këtij suksesi është shumë e thjeshtë.

Për ne, në Ameble që kemi testuar këtë smartphone në detaje, lirshëm mund të themi se “Moto G ka gjithçka që na nevojitet për çmimin që na përshtatet”. Shtrohet pyetja: A me ble Motorola Moto G? Për çmimin prej 169 € për versionin 8GB dhe çmimi 199 € për versionin 16GB për një smartphone 4-bërthamor (brand name) dhe tejet funksional, Po, ia vlenë.

Ky model në Amazon.de gjendet për 169 € për versionin 8GB dhe çmimi 199 € për versionin 16GB, tek ne shitet nga 230 e me lartë.

Për krahasim me ndonjë model tjetër, mund ta bëni nëpër mes modulit tonë Krahasime. \ameble

VLERËSIM
Hardueri
9
Dizajni
9
Performanca
8
Kamera
8
Ekrani dhe Zëri
8
SHPËRNDAJE