SHPËRNDAJE

Samsung Galaxy S4 Active

Prodhimi i një produkti siç është S4 Active nga ana e Samsung-ut nënkupton që kjo kompani është në gjendje të plotësoj edhe dëshirat edhe nevojat e përdoruesve. Fakti se Samsung krijon produkte të ndryshme në periudhë kaq të shpejtë dhe të gjitha këto i bënë me mjaft precizitet, stabile dhe efikase dëshmon se Samsung mendon për çdo lloj mundësie duke marre parasysh kostot dhe nevojat demografike të të gjithëve.

Samsung Galaxy S4 Active është një smartphone tjetër më platformën Android i projektuar dhe zhvilluar nga Samsung Electronics dhe njëkohësisht është pajisja e cila u lansua në të njëjtën kohë me S4 Standard dhe S4 Mini. Ky smartphone ka ngjeshmëri të madhe me Samsung Galaxy S4 sikur në harduer po ashtu edhe në pjesën softuerike të tij. Ka disa gjëra të vogla të cilat i kemi shtjelluar në detaje në pjesën e vlerësimit për Samsung Galaxy S4 Active.

Përparësitë:

  • Procesori  4-bërthamor 1.9 GHz
  • Rezistenca nga Uji: Aqua Mode
  • RAM 2 GB
  • Kamera 8 Megapikselë
  • IR senzori i cili mundëson komunikimin më pajisjet TV, DVD player, Blu-ray player, Projector, Sistemi surround, klimës dhe pajisjeve të tjera
  • Kapaciteti i baterisë 2600 mAh

Mangësitë:

  • Ekrani nuk është Super Amoled sikurse ekrani i Galaxy S4

Paketimi i Samsung Galaxy S4 Active është i njëjtë sikur modeli 5 inç i Galaxy S4 i përbërë nga materiali i letrës, i kombinuar me material nga bima e sojës, gjë që e bënë që i tërë paketimi i këtij smartphone-i të jetë i riciklueshëm deri në masën 100% dhe si i tillë aspak i rrezikshëm për shëndetin.

Brenda këtij paketimi gjenden: smartphone-i Samsung Galaxy S4 Active, bateria, mbushësi i baterisë, kabllo për lidhjen e pajisjes me portën USB të kompjuterit, kufjet (ndëgjojset) si dhe udhëzuesi i përdorimit të smartphone-it.

Para se të fillojmë me vlerësimin e pajisjes në vijim kemi përgatitur një video praktike për Galaxy S4 Active duke përfshirë këtu dizajnin, softuerin dhe disa karakteristika kryesore të tij. Më pastaj është bërë një krahasim i shkurt me Galaxy S4 si dhe për fund është bërë testimi i rezistencës së Galaxy S4 Active ndaj ujit.

Hardueri dhe Dizajni

Sa i përket harduerit, mund të themi se S4 Active është unik. Për nga pjesa harduerike, ky smartphone dallon nga Galaxy S4 standard në disa specifika, por kryesorja është rezistenca e tij ndaj ujit. Edhe emri i tij, Samsung Galaxy S4 Active nënkupton që kjo pajisje mund të jetë aktive, ku do dhe kur do. Nuk ka rëndesi, a është djell, ftoht, apo lagësht, S4 Active do të funksionoj pa problem.
Prandaj që nga momenti i prezantimit të Galaxy S4 Active është renditur në një ndër produktet më të shitura të kompanisë.

Pjesa e përparme e Galaxy S4 Active ka ekranin 5 inç TFT LCD me rezolucion 1920×1080 pikselë, një buton fizik (Home) dhe dy butona fizik-kapacitiv (Menu dhe Back) si dhe kamerën e përparme 2.0 megapikselë. Në pjesën e përparme po ashtu gjenden edhe senzorët e ndjeshmërisë së afersisë që mundësojnë shfletimin e fotografive ose faqeve në ueb vetëm me lëvizje të dorës nga distanca, pa pasur nevojë fare të preket ekrani, ngjashëm si tek modeli standard.

Pjesa e pasme përmban kamerën kryesore 8 megapikselë së bashku me flash-in LED ku me largimin e kapakut të baterisë mundësohet qasja për Micro SIM, kartelën Micro SD dhe baterinë.

Në pjesën e sipërme ka një vrime (jack) të zërit, mikrofonin dytësor dhe IR transmetuesin që mundëson që të përdorim smartphone-in sikur një telekomandë për kontrollimin e pajisjeve shtëpiake. Ndërsa në pjesën e poshtme gjendet microUSB porta e cila mundëson transferimin e të dhënave dhe mbushjen e telefonit. Kjo port mbështet protokollin MHL 2.0. e cila mundëson daljen 3D si dhe lidhjen me TV. Në këtë pjesë po ashtu gjendet edhe vrima e mikrofonit kryesor.

Në pjesën e djathtë është integruar butoni i ndezjes/ndaljes së smartphone-it, ndërsa butonat për ngritje/ulje të zërit gjenden në pjesën e majtë. Ndërsa në anën e majtë të pjesës fundore gjendet altoparlanti i zërit.

Në krahasim me Galaxy S4 standard, smarphone-i S4 Active është vetëm pakës i gjërë dhe më i gjatë. S4 Active ësht gjithashtu për 15% më i trashë se S4. Edhe përkundër izolimit shtesë që S4 Active ka, pesha e tij është vetëm 16% më e madhe se e S4.

Ekrani dhe Zëri

Pra, siç edhe e kemi përmend tek përparësitë e këtij smartphone-i, ekrani është 5 inç TFT LCD i i mbrojtur dhe certifikuar me teknologjinë IP67 i cili mbron ekranin nga gërvishtjet dhe uji. Ekrani është gjithashtu shumëngjyrësh me rezolucion 1920 X 1080 pikselë  dhe është impresionues në çdo aspekt. Në krahasim me ekranin e Samsung Galaxy S4 Active, S4  ka nje dukje më të qartë për sytë gjatë operimit në dritën e diellit.

Në anën tjetër, kapaciteti i zërit nga ky smartphone është i mjaftueshëm duke marrë parasysh destinacionin e tij. Në rast të thirrjeve telefonike, dëgjohet lehtë dhe ka opsionin ekstra Volume që e rrit ndjeshmërinë e mikrofonit.

Kamera

Sikurse edhe modelet tjera të serisë S4, edhe Galaxy S4 Active ka dy kamera. Kamera e përparme është 2.0 megapikselë dhe mund të përdoret për video thirrje me Skype apo Google Talk, ndërsa kamera e pasme është 8 megapikselë. Galaxy S4 Active nëpërmjet softuerit të integruar ofron opsione të ndryshme të efekteve të fotografisë gjatë fotografimit të cilat mund të përzgjidhen drejt për së drejti.

Disa efekte të fotografisë janë opsioni: Vigentte, Gray-scale, Sepia, Vintage, Tint, Cartoon, Rugged, Oil pastel dhe Fisheye.

Përveç efekteve, ofrohen edhe opsione të tjera nëpërmjet funksionit Mode, dhe ju do të përjetoni një argëtim me opsionet e ofruara sikurse Best face, Best photo, Beauty face, Sound & shot, Drama, Animated photo, Rich tone, Eraser, Panorama, Sport dhe Night.

Duhet po ashtu të cekim se me kamerën mund të bëhen incizime në formatin me definicion të plotë dhe të lartë (Full HD).

Softueri

Samsung Galaxy S4 Active vjen me sistemin operativ të fundit nga Android 4.2.2 Jelly Bean me një përformancë jashtëzakonisht të mirë dhe shumë të shpejt.

Edhe tek ky model po ashtu janë të instaluara disa aplikacione të veçanta sikurse Watch On dhe Group Play, të cilat kryejnë funksione të njëjta si tek Galaxy S4 dhe Galaxy S4 Mini.

Përformanca dhe Bateria

Nëse bëjmë vlerësimin në bazë të fuqisë procesorike, atëherë S4 Active nuk del të jetë më i mirë sesa S4-shi standard i llojit 8-bërthamor, por një gjë është e sigurt, funksionaliteti i S4 Active është i shkëlqyeshëm dhe duket se kjo memorie është e mjaftueshme për të.

Ndër specifikat tjera të S4 Active kemi RAM memorien 2 GB si dhe sistemit të fundit operativ nga Android, Jelly Bean 4.2.2.

Gjatë testimit që kemi bërë në laboratorin e Ameble-së nuk është vërejtur asnjë bllokim në softuer dhe shfletimi në aplikacione si dhe në uebfaqe ishte mjaft fluid.

Samsung Galaxy S4 Active ka vendosur një bateri më fuqi prej 2.600 mAh. Duhet të cekim po ashtu se bateria edhe tek ky model sikurse tek modelet paraprake, mund të ndërrohet nga përdoruesi pa pasur nevojë të dërgohet smartphone-i në servis për të zëvendësuar baterinë siç është rasti me iPhone apo me disa modele të HTC-së.

Gjatë mbushjes së smartphone-it rekomandohet mbushësi origjinal që vjen në paketimin e Galaxy S4. Në rast se dëmtohet ose nuk është më funksional duhet të blihet adapteri 2.0 A (ampera).

Përfundimi

Është interesante të cekim faktin se që nga muaji Gusht 2013, operatori At&T në SHBA ka nënshkruar një kontratë me Samsung në mënyrë që të ofroj smartphone-in Samsung Galaxy S4 Active për të gjithë klientët e saj që duan të kenë këtë pajisje me kontratë. Pjesë e ofertës për klient është edhe mbulesa e sigurimit për këtë paisje nëse ajo prishet për çfarëdo lloj arsye. Konkretisht, nëse S4 Active prishet, At&T dhe Samsung do të ndërrojnë menjëherë pajisjen e prishur me një pajisje të re pa paguar asgjë.

Kompania Samsung, mbështet sigurinë e saj edhe në faktin që kjo pajisje mund të përballoj lagështinë sepse është rezistente ndaj ujit deri në 1 metër thellësi për 30 minuta kohë.

Për të gjithë ata të interesuar për blerjen e modelit Galaxy S4, rekomandojmë shitoren e pajisjeve mobile F–Mobile në Prishtinë, i cili ofron kushte shumë të volitshme për blerje si dhe garanci prej 2 vitesh për pajisjen. |ameble|

VLERËSIM
Hardueri
9
Performanca
8
Kamera
8
Dizajni
8
Ekrani dhe Zëri
8
SHPËRNDAJE