Që kur është folur së pari për Xperia Z dhe për ekranin e vetë 5 inç, shumë njerëz kanë shprehur brengat e tyre se do të jetë shumë e vështirë të punohet me këtë smartphone, këtë madje ende pa e parë atë. Megjithatë, që kur kanë dal edhe detaje tjera rreth kësaj pajisje, është bërë e qartë se kompania Sony ka bërë një punë të mrekullueshme në minimizimin e kornizës së ekranit dhe se kësaj radhe Xperia Z është thuajse një milimetër më e gjerë se sa ata më të mirët e prodhuar në vitin 2012. Po ashtu kur bie fjala për peshën e pajisjes, ata kanë arritur ta mbajnë nën kontroll dhe kështu Xperia Z ka një peshë të arsyeshme, prej 146g.
Natyrisht se Xperia Z është pak më i gjatë se sa Galaxy S III apo One X, por është lehtë të punohet me të. Prandaj, nëse 50 milion njerëz nuk kanë pasur ankesa lidhur me ata më të mirët nga viti 2012 atëherë Sony Xperia Z nuk ka ndonjë brengë, posaçërisht kur e kemi parasysh se blerësi do të merr një ekran me rezolucion te plotë HD.
Përparësitë:
- Procesori 4-bërthamor 1.5 GHz
- Rezistent ndaj ujit dhe pluhurit
- Kamera 13 Megapikselë
- Tërë pajisja e mbuluar nga qelqi dhe e mbrojtur nga gërvishtjet
Mangësitë:
- Kontrasti i ulët i ekranit kur shikohet nga këndet
- Bateria e integruar
Hardueri dhe Dizajni
Xperia Z menjëherë mund të njihet se është një pajisje nga kompania Sony përmes dizajnit të vetë me kënde të theksuara, por dallon nga prodhimet e para të cilët janë dalluar përmes pjesës së pasme harkore, mirëpo ky ka një pamje më moderne me një pjesë të pasme të rrafshët. Nuk mund të mohohet se Smartphone-i është i pashëm, me pjesën e parmë të mbuluar me qelq dhe se pjesa e pasme përshtatet mirë me skajet e mbështjella me gomë dhe pjesëzat e vogla shkëlqyese nga plastika të vëra në skaje. Në fund mund të thuhet se kjo është një pajisje me të cilën ju do të kishit dëshirë që njerëz tjerë të ju kenë zili.
Cilësia e ndërtimit për brenda duket të jetë e punuar në mënyrë të shkëlqyer – dhe mund të themi se gjatë punës me të, nuk mund të dëgjohet asnjë kërcitje, gërvimë apo tinguj tjerë të mërzitshëm dhe se në përgjithësi ndihet të jetë i qëndrueshëm.
Pjesa e përparme e smartphone-it Sony Xpreia Z ka ekranin e madhësisë 5.0 inç TFT me rezolucion 1920×1080 pikselë i mbrojtur me Corning Gorilla Glass 2 dhe nuk ka të integruar butona fizik. Butonat kapacitiv, back, home dhe të fundit, janë të integruara në ekranin e pajisjes. Në pjesën e sipërme është vendosur kamera frontale si dhe sensoret e lajmërimeve.
Për dallim nga smartphone-t e zakonshëm, dizajni i kësaj pajisje dallon shumë. Në pjesën e sipërme gjendet vetëm vrima apo jack-u 3.5 mm për kufje/dëgjueset, ndërsa në pjesën e poshtme është integruar vetëm mikrofoni.
Në pjesën e djathtë gjendet butoni fizik për ndezjen dhe fikjen e smartphone-it e dizajnuar në formën e rrumbullakët që i jep një shkëlqim dizajnit të pajisjes. Përveç këtij butoni, është integruar po ashtu edhe butoni për rritje/ulje të zërit si dhe në këtë pjesë bëhet vendosja e kartelës SIM.
Në anën e majtë të pajisjes bëhet vendosja e kartelës micro SD si dhe bëhet mbushja e baterisë së smartphone-it. Në këtë pjesë po ashtu janë të integruar edhe portat që mundësojnë lidhjen e pajisjes me docking station.
Në pjesën e pasme gjendet kamera kryesore 13 Megapikselë me flash LED i cili është vendosur nën kamerë.
Ekrani dhe Zëri
Ekrani 5 inç Full HD me rezolucion 441 PPI, padyshim është një prej tipareve kryesorë të këtij smartphone-i si dhe njëkohësisht është ekrani më i mirë i prodhuar japonez deri më tani. Megjithatë, ekrani nuk është edhe aq shumë i përsosur. Kjo e dëshmon kontrasti tepër i dobët në raste të shfaqjes së smarthpone-it në diell.
Sikurse edhe tek shumica e smartphone-ve edhe tek Sony Xperia Z, prodhimi i zërit është i mjaftueshëm duke marrë parasysh destinimin e tij. Në rast të thirrjeve telefonike, dëgjohet lehtë dhe po ashtu ka opsionin ekstra Volume që e rrit dëgjueshmërinë e mikrofonit.
Kamera
Xperia Z sikurse edhe një pjesë e madhe të smartphone-ve, poashtu posedon dy kamera, atë frontale e cila është 2.2 Megapikselë që mund të përdoret për video thirrje me Skype apo diç tjetër, si dhe atë të pasmen, kryesoren e cila është 13.1 Megapikselë.
Softueri
Sony Xperia Z fillimisht është lansuar me sistemin operativ Android me version 4.1.2 Jelly Bean, ndërsa më vonë ishte përditësuar në versionin 4.2.2. Xperia Z tanimë është përditësuar në versionin Android 4.3. A do të bëhet përditësimi në versionin e fundit Android Kitkat, do të kuptojmë në të ardhmen e afërt.
Përformanca dhe Bateria
Duke iu falënderuar harduerit të integruar, Sony Xperia Z e ka një performancë jashtëzakonisht të mirë dhe gjatë testimit me të nuk është vërejtur ndonjë bllokim në softuer si dhe ndonjë nxehje të vet telefonit. Edhe për ketë pajisje ngjashëm si pajisjet tjera, kemi bërë videon praktike të tij ku shpjegojmë shkurtimisht për pamjen, karakteristikat dhe softuerin e tij.
Sa i përket baterisë duhet të cekim se ajo është e fuqisë 2330 mAh dhe nuk mund të ndërrohet nga përdoruesi, që i bie se është hermetikisht e mbyllur dhe është e vendosur brenda pajisjes. Pra, duhet të keni parasysh, nëse keni ndonjë problem me baterinë, pajisjen duhet të dërgoni në dyqanin i cili merret me riparimin e telefonave apo nëse është ndër garancion të kthehet.
Bateria e Sony Xperia Z mund të rezistoj/qëndroj deri në 16 orë bisedë, 6 orë gjysmë në shfletimin e internetit ose 5 orë e gjysmë në shikimin e videove.
Përfundimi
Shtrohet pyetja: A me ble Sony Xperia Z?
Përgjigja e thjesht është PO. Pra, nëse keni një shumë të parave të dedikuara për një smartphone të klasës së lartë dhe njëkohësisht jeni edhe fans i brendit Sony, atëherë ne ua rekomandojmë Sony Xperia Z. /ameble